Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) njofton se është kërkuar që Bordi i Infrakosit ta pezullojë përzgjedhjen e kryeshefit të ri ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje.
Sipas MEA-së, gjatë procesit të përzgjedhjes nuk janë zbatuar kriteret e konkursit dhe se janë bërë shkelje.
“Pavarësisht se unë si ministër e në cilësinë e aksionarit të Infrakosit, me shkresë zyrtare qysh dje kam kërkuar nga bordi i Infrakosit që ta pezullojë përzgjedhjen e kryeshefit të ri ekzekutiv, me arsyetim se në proces të përzgjedhjes nuk janë zbatuar kriteret e konkursit, ata këtë çështje e kanë bërë akt të kryer, me çka kanë bërë shkelje”, thuhet në deklaratën e ministrit në detyrë të MEA-së, Muharrem Nitaj.
Ai ka shkruar se, janë bërë shkelje të rregullave të konkursit.
“E kam vlerësuar se zgjedhja e bordeve të reja duhet të jetë në diskrecionin e Qeverisë së re. Por kjo nuk nënkupton që bordet e përkohshme që janë në ditët e fundit të tyre, mund të bëjnë përzgjedhjen e ngutshme të kryeshefave ekzekutivë të ndërmarrjeve publike, madje edhe duke shkelur rregullat e konkursit, e shpesh edhe në kundërshtim me ligjin, siç ka ndodhur me kryeshefin ekzekutiv të Infrakosit”, përfundon reagimi.
Ndryshe, Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovës ka sugjeruar që Qeveria në detyrë e Kosovës të shtyjë të gjitha vendimet dhe proceset e rekrutimit të zyrtarëve në Ndërmarrje Publike, deri në formim të qeverisë së re.
Kjo Ambasadë thekson se proceset e rekrutimit të bordeve dhe kryeshefave ekzekutiv duhet të jenë transparente.