Site icon PrishtinaPress

Pas Prishtinës, Lajçak shkon në Beograd

Pas Prishtinës, Lajçak shkon në Beograd

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, do të vizitojë Beogradin të hënën dhe të martën, më 13 dhe 14 mars, ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Fillimisht, Lajçak të enjten dhe të premten do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Prishtinë. Siç pritet, gjatë qëndrimit në Prishtinë, ai do të bisedojë edhe me përfaqësues të opozitës.

Kujtojmë se ardhja e Lajçakut në Prishtinë, por edhe në Beograd, është paralajmëruar pas raundit të fundit të dialogut, i cili u mbajt të hënën e kaluar në Bruksel.

Pak orë pas përfundimit të bisedimeve, Shërbimi Evropian për Çështjet e Jashtme publikoi tekstin e propozimit evropian, i cili përmban 11 pika. Nga Brukseli u njoftua se të dyja palët ranë dakord që bisedimet e reja për vetë tekstin nuk janë të nevojshme. Megjithatë, siç presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Serbia është e gatshme të punojë në zbatimin e shumë gjërave nga plani evropian, por “nuk dëshiron dhe nuk mund të diskutojë njohjen reciproke dhe hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara”.

Emisari Lajçak vjen të premten në Prishtinë. Përveç Kryeministrit Albin Kurti, pritet të takojë edhe krerët e opozitës.

Express dje ka raportuar se Lajçak vjen të premten në Kosovë dhe përveç qeveritarëve, takon edhe liderët opozitar, Memli Krasniqin e PDK-së, Lumir Abdixhikun e LDK-së dhe Ramush Haradinajn e AAK-së.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka thënë se emisari special i BE-së vjen në Prishtinë kah fundi i kësaj jave të shikojë punën që ka bërë pala kosovare për udhërrëfyesin e zbatimit të propozimit evropian, që është pranuar nga Kosova dhe Serbia.

“Në fund të javës së ardhshme pritet që z. Lajcak ta vizitojë Kosovën, pastaj edhe Serbinë; të shikojë punën që është bërë. Në bazë të propozimeve tona, unë besoj që ai do të përpiqet t’i konsolidojë ato”, ka thënë Bislimi.

Kjo vizitë e Lajçakut pritet të ndodhë, para takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, që është caktuar të mbahet me 18 mars, në Ohër të Maqedonisë Veriore.

Kryeministri Kurti, pasi zyrtarisht ka pranuar propozimin evropian më 21 shkurt, ka thënë se negociatat për normalizim do të vazhdojnë përmes diplomacisë fluturuese.

Dy partitë opozitare, PDK dhe LDK e kanë kritikuar Kryeministrit Kurti që pranoi propozimin evropian, i cili thonë se nuk sjell marrëveshje finale me Serbinë e as njohjen reciproke.

Sipas opozitarëve, Kurti, përmes këtij plani, ka pranuar themelimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive, dhënien e statusit të veçantë për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë dhe vazhdimin e pafund të të bisedimeve me Serbinë.

Exit mobile version