Eksperti i Sigurisë, Drizan Shala, ka folur për masën e arrestit shtëpiak ndaj ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i cili është arrestuar nga Polica e Kosovës nën dyshimin se ky i fundit ka kryer akte terroristë në veri të Kosovës ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor.
Shala, e ka akuzuar Prokurorinë Speciale se kjo e fundit ka mundur të bie nën-ndikimin e ndërkombëtareve.
“Çështja se tani i pandehuri gjendet tani në arrest shtëpiak, e tregon faktin dhe dëshminë që Prokuroria Speciale e Kosovës, de fakto ka ra nën presionin politike, publik apo të ndërkombëtareve”, ka theksuar Shala për RTV Dukagjini.
Sipas Shalës, do të jetë shumë e vështirë që të bëhet mbikëqyrja e të pandehurit në se a është duke respektuar arrestin shtëpiak.
“Në veri të Kosovës nuk ka mundësi që të shkojë edhe të trokasësh, për ta kontrolluar se a është i pandehuri në shtëpi. Në këtë aspekt unë mendojë që Prokuroria Speciale e Kosovës ka dështuar tërësisht sa i përket këtij rasti, sepse i pandehuri Pantiq ka pasur mundësi që të përcillet nga Policia e Kosovës dhe mekanizmat e tjerë të sigurisë edhe të arrestohet me në brendësi të territorit të Kosovës”, ka përfunduar Shala.