Disa orë pas nënshkrimit të marrëveshjes LVV-LDK, ka folur nënkryetarja e Lidhjes Demokratike, Vjosa Osmani, e cila këtë të diel ka marrë mbështetjen e kryesisë së partisë për postin e Kryetares së Kuvendit.
Osmani në fillim ka thënë se ajo është angazhuar shumë për koalicionin që tashmë u jetësua.
“Krijimi i institucioneve asnjëherë nuk ka qenë një punë e lehtë dhe një proces i thjeshtë. Kjo komplikohet edhe më tepër kur krijimi i institucioneve nënkupton edhe ndryshim të epokave. Që nga fillimi jam angazhuar pa asnjë interes personal për të bërë realitet koalicionin LDK – LVV, për një arsye shumë të thjeshtë: sepse ky ishte vullnet qytetar”, thotë ajo.
Osmani thekson se marrja e 200 mijë votave të LDK-së do duhej të arsyetoheshin duke bërë marrëveshje për hirë të qytetarëve të vendit.
“Ky ka qenë edhe obligim të cilin e kam marrë prej mbi 200 mijë votave që i mori LDK në zgjedhjet e fundit. Kjo ishte një porosi e qartë për mua dhe për partinë që të ndryshojmë vendin. Marrëveshja që është nënshkruar sot në mes të kryetarit Mustafa dhe kryetarit të LVV’së Kurti ishte një lajm i mirë për të gjithë qytetarët e vendit. Ata ka muaj që po e pritnin një marrëveshje të tillë. Ngjarjet që rrjedhin jo gjithmonë janë pikërisht siç i kemi paramenduar. Por, sido që të jetë, asnjë lindje nuk është e lehtë. Këtë e dimë më së miri ne që jemi nëna. Nuk është e lehtë as lindja e ndryshimit. Rrugës do të hasim në vështirësi, me të cilat duhet të merremi, kundër të cilave duhet të luftojmë. Sa më shumë që do të luftojmë ne aq më shumë do të hasim në rezistencë. Mirëpo rrugë tjetër nuk ka. Deri në fitore”, ka thënë pretendentja për kryetare të Kuvendit.
Më tej Osmani thekson se, përkundër që qeverinë e re e presin shumë sfida, pas themelimit të institucioneve do të merren përgjegjësitë për të vazhduar punët ku kanë mbet.
“Qytetarët kërkuan dhe përcaktuan bashkimin tonë. Dhe si çdoherë, na treguan e trasuan rrugën e drejtë. 6 tetori, për mua, ishte dhe mbetet vullnet që nuk shkelet; me asnjë kusht e asnjë çmim. Shumë mund e përpjekje u bënë për të na ndalur e perqarë. Por shumë më i madh ishte vullneti ynë për të jetësuar kërkesën për ndryshim. Dhe tani, ua kemi borxh qytetarëve, e të gjithë atyre që nuk hoqën dorë nga besimi në ne, që fjalën e dhënë ta jetësojmë deri në fund. Nesër do t’i themelojmë institucionet e reja. Do t’i marrim përgjegjësitë e reja. Nuk ka asgjë që na ndalë”, ka shkruar Osmani në Facebook.