Emisari i Gjermansië për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, është takuar edhe me kreun e LDK’së, Lumir Abdixhikun, pas takimit që pati me Kryeministrin Albin Kurti. Sarrazin erdhi në Kosovë pas ngjarjeve të djeshme në veri, ku u vra polici Afrim Bunjaku, raporton Express.
Për këtë takim, ka njoftuar Abdixhiku, në profilin e tij në Facebook, ku ka thënë se e ka falënderuar për mbështetjen e shtetit Gjerman dhënë ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës përgjatë gjithë zhvillimeve të djeshme.
Sarrazin është shoqëruar në këtë takim nga Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde.
“Mesazhet e qarta dhe të pa ekuivok në momente të tilla janë domethënëse në përballjen me terroristë. Dhe këto mesazhe nuk i munguan vendit tonë.
Shpreha qëndrimin mbështetës të LDK-së ndaj institucioneve të vendit, të sigurisë, rendit e ligjit, në veçanti ndaj djemve e vajzave të Policisë së Kosovës, të cilët me plot guxim e profesionalizëm përballën sulmin e djeshëm terrorist”, ka shkruar Abdixhiku.
Tutje, Abdixhiku ka thënë se ka shprehur “domosdoshmërinë e dënimit ndërkombëtar ndaj gjuhës urrejtëse e luftënxitëse të Vuçiq kundrejt institucioneve dhe popullit të Kosovës”.
“Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për sponzorizimin dhe strehimin e terroristëve. Në këto momente, maturia politike e Kosovës, vendosmëria në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe bashkërendimi me miq e aleat janë kruciale në përballjen e çfarëdo provokimi. Kosovës i duhet mençuri dhe vendosmëri në kapërcimin e gjendjes së tanishme. Mbi të gjitha, Kosovës i duhet vizion e unitet për rrugën përpara”, ka deklaruar Abdixhiku.