Rusia reagoi me kritika ndaj mesazheve të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, gjatë vizitës së tij në Prishtinë.
“Beogradi nuk i ka borxh asgjë Brukselit”, u shpreh zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, duke komentuar deklaratën e Scholz për nevojën që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
“A janë këta ‘miq’ të Serbisë?”, pyet Zakharova duke shtuar se perëndimi është borxhli ndaj serbëve.
“Popullit serb tashmë po i thuhet vazhdimisht se çfarë dhe si të bëjë. Çfarë do të ndodhë më pas?”, shkruan në telegram zyrtarja e Ministrisë së Jashtme ruse, transmeton a2news.
Reagimet nga Moska vijnë pas deklaratës së Scholzit përgjatë vizitës së tij në Prishtinë, i cili tha se nuk arrin ta imagjinojë se dy vende që nuk e njohin njëra tjetrën të bëhen pjesë e BE-së, duke konsistuar në Kosovën e Serbinë.
“Është e qartë se marrëveshja përfundimisht duhet të sqarojë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse nuk mund të imagjinohet që dy vende që nuk e njohin njëri-tjetrin të bëhen anëtarë të BE-së”, tha Scholz në kryeqytet.
Duke raportuar këtë reagim, mediat në Moskë risjellin në vëmendje thirrjen e ministrit të Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, që vendi i tij të rishikojë planet për integrim në BE.
Gjithashtu, edhe deklaratën e vetë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se “Unioni Evropian është një faktor i rëndësishëm në botë, por rëndësia e tij po bie bashkë me fuqinë e tij ekonomike”.