1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Pas heqjes së masës për karantinim, mërgimtarët që jetojnë në Zvicër ia mësyjnë Kosovës

“Brenda katër ditëve të ardhshme, në aeroportin e Prishtinës pritet të arrijnë rreth njëzet mijë bashkatdhetarë”, kështu ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook.

Zyrtari për informim i Aeroportit të Prishtinës, Bujar Gashi, në një prononcim për klankosova ka thënë se ky numër i rritur i mërgimtarëve që mësyjnë Kosovën, vjen për shkak se Zvicra e ka hequr masën e karantinimit për qytetarët që kthehen nga Kosova në Zvicër.

“Kjo është informatë e saktë ashtu siç e ka thënë edhe ministri Zemaj – është totali i udhëtarëve që vijnë edhe shkojnë brenda këtyre 4 ditëve (nga e shtuna deri të martën). Me lehtësimin e masave nga shteti Zviceran për të gjithë udhëtarët që udhëtojnë Zvicër-Kosovë, vërehet një numër relativisht i madh i udhëtarëve”.

“Duke pasur parasysh se këto ditë janë edhe ditët e pushimit të shkollave në Zvicër, gjatë këtyre katër ditëve pritet të vijnë rreth 20 mijë mërgimtarë. Në kushte normale ky numër nuk është edhe aq i lartë, por është më i larti pas lirimit të masave anti-COVID”.

“Shpresojmë që edhe Gjermania ta marrë një vendim të ngjashëm sikurse Zvicra në mënyrë që mërgimtarët ta kenë më të lehtë udhëtimin drejt Kosovës”.

Ngjashëm është shprehur edhe zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, i cili ka shtuar se me heqjen e masës për kufizim të lëvizjes, mërgimtarëve iu mundësohet që të kalojnë disa ditë në kushte më normale në Kosovë.

“Fluksi më i madh i mërgimtarëve ndërlidhet me dy fakte: (1) Zvicra e ka hequr masën e karantinimit për qytetarët që kthehen nga Kosova në Zvicër si rezultat i numrit të vogël të rasteve me COVID-19 në Kosovë – heqja e kësaj mase iu krijon shumë më tepër lehtësi mërgimtarëve tanë për ta qëndruar në Kosovë dhe kur të kthehen atje nuk kanë nevoje të futen në karantinë”.

“Tjetra (2) është që në Kosovë është hequr kufizimi i lëvizjes dhe kjo atyre iu krijon mundësi më të mira që të kalojnë disa ditë në kushte më normale në Kosovë”.

“Sidoqoftë, është me rëndësi që pavarësisht sa do të jetë numri i tyre, ata t’u përmbahen masave dhe rekomandimeve në fuqi gjatë qëndrimit. Janë disa vende që e kanë hequr Kosovën prej listës së shteteve me rrezik të lartë dhe kjo automatikisht krijon disa lehtësime në qarkullim”. (H.S.)

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img