Site icon PrishtinaPress

Pas grevës së punëtorëve të Postës, Lluka thotë se ka nisur shpërndarja e pagave

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Sindikatës së Punëtorëve të Postës pas grevës që nisi mëngjesin e sotëm.

Pas këtij takimi, Lluka është shprehur se tashmë ka filluar dhënia e pagave tek punëtorët.

“Kjo konferencë është për informimin rreth situatës për pakënaqësinë e punëtorëve të Postës të cilët nuk kanë marrë pagat. Sot në mëngjes jam takuar me Kryetarin e Sindikatës dhe jemi pajtuar se kemi gjetur një ndërmjetësim të ministrisë për një zgjidhje të pagesës së qirasë së Postës, ku sot besoj edhe kanë filluar shpërndarjet e pagave dhe është besoj është një arritje e mirë e përkohshme. Normalisht ne jemi pajtuar që të bëjmë një zgjidhje më afatgjatë dhe të konvenueshme.Pra të fokusohemi në muajt e ardhshëm në zhvillimin e strategjisë së Postës së Kosovës dhe menaxhimin më të mirë të shërbimeve operative”, ka thënë Lluka, shkruan Indeksonline.

Sipas tij, problemi ka ardhur pasi dihet se Telekomi është në një krizë financiare dhe si rezultat ka pasur vështirësi edhe me dhënie të qirasë ndaj Postës së Kosovës.

“Nga ana tjetër, Posta e Kosovës të hyrat kryesore i ka nga qiraja që merr nga Telekomi dhe problem tjetër ka qenë diku rreth 80% e shërbimeve operative në Postën e Kosovës janë në paga dhe kjo normalisht krijon një zinxhir negativ në kryerjen e pagesës së pagave. Në ditët në vazhdim kemi angazhuar një rregullator (pra ARKEP-in), që të bëjë një vlerësim të kostos së shërbimit universal postar dhe në bazë të asaj kosto duhet të shikojmë mundësinë që të subvencionohet ajo pjesë e shërbimit postar që është edhe me ligj pra nga Qeveria e Kosovës”, ka shtuar Lluka.

Sipas Llukës, Posta duhet të mbetet shtetërore.

“Pro Posta duhet të mbetet shtetërore dhe nuk ka partneritet për tërheqjen e investimeve të huaja. Qëllimi fillestar është t’i rrisim të hyrat Postës dhe ato mund të rriten duke dhënë më shumë shërbime sikur skemat sociale të paguhen të gjitha përmes Postës. Skemat sociale janë mbi 20 dhe momentalisht Posta vetëm dy skema sociale. Pasi të rritet qarkullimi në këtë pjesë atëherë duhet të shikohet sa është mbetja”, ka përfunduar Lluka.

Exit mobile version