Site icon PrishtinaPress

Pas dy jave grevë, kthehet prodhimi në Trepçë

Pas ndërprerjes së grevës së minatorëve të “Trepçës”, për shkak të një marrëveshjeje me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, situata në minierën e Stan Tërgut është normalizuar. Minatorët hoqën dorë edhe nga dy kërkesat kryesore – ngritja e pagave 20 për qind dhe shkarkimi i Bordit Mbikëqyrës.

Është kthyer prodhimi në “Trepçë” pas gati dy javë të grevës së minatorëve, të cilët fillimisht kishin kërkuar plotësimin e katër kërkesave, pastaj ato i kishin reduktuar në dy dhe në fund kanë hequr dorë edhe nga dy kërkesat e fundit dhe më kryesoret – ngritjen e pagave 20 për qind dhe shkarkimin e Bordit Mbikëqyrës.

Minatorët kanë bërë një marrëveshje me ministrin e Zhvillimit Ekonomik,Valdrin Lluka, që ata t’i kthehen punës, ndërsa Lluka si ministër do t’i plotësojë kërkesat e tyre, por jo ashtu siç minatorët kishin kërkuar.  Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, nëpërmes një njoftimi ka bërë të ditur se minatorët kanë ndërprerë grevën, duke ua premtuar kushtet që do t’ua plotësojë atyre, shkruan Zëri.

“Është dëshmuar se dialogu social është forma më e mirë e zgjidhjes së problemeve me ndërmarrjet publike. Pas shumë takimeve me Këshillin Grevist të Minatorëve, Sindikatën e ‘Trepçës’ dhe Bordin e kësaj ndërmarrjeje, u dakorduam që të vazhdojë puna në miniera, për çka i jam mirënjohës kryetarit e Këshillit Grevist Ferid Nezirit dhe atij të Sindikatës së ‘Trepçës’ Shyqyri Sadikut, së bashku me kolegët e tyre të cilët kuptuan shumë qartë situatën e rëndë aktuale në ‘Trepçë’, që ka ardhur kryesisht për shkak të menaxhimit të dobët ndër vite”, ka thënë ministri Lluka në njoftim.

Exit mobile version