Zëvëndëskyreministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka reaguar ndaj një non-paper të hartuar nga Akademia e Shkencave të Serbisë. Bislimi thotë se Kosova në vazhdimësi ka tërhequr vëmendjen e faktori tndërkombëtar për arsyet e vërteta që Serbia synon për formimin e Asociacionit.
Ai thotë se Asoaciacioni asnjëherë s’është kërkuar për të integruar serbët e Kosovës por për t’u shfrytëzuar si Kal i Trojës nga Beogradi për ta defunksionalizuar Kosovën dhe duke e përgatitur terrenin për ndarje.
Bislimi shkruan se “non-paper” i hartuar së fundi nga Akademia serbe, ofron një prej dëshmive më të forta që është dhënë deri sot për synimin e vërtetë që qëndron pas insistimit të Serbisë për Asociacion në Kosovë.
Numri dy i Qeverisë thotë se themelimi i Asociacionit nuk është një objektiv në vete, por përkundrazi përfaqëson një hap drejt qëllimit kryesor e që është “bota serbe”, që përkon me territorin e ish-Jugosllavisë.
Ky reagim i Bislimit ka ardhur pasi sot kryeministri shqiptar Edi Rama ka treguar se ia ka çuar një Draft për Asociacionin, presidentit Macron dhe kancelarit Scholz. Rama ka deklaruar se është hartuar nga ekspertë amerikanë./Express/