Site icon PrishtinaPress

Pas djalit, Fatmir Limaj rahaton edhe motrën e tij në punë

Pas djalit, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka rahatuar edhe anëtarë të tjerë të familjës në punë. Kësaj radhe, ai e ka punësuar motren e tij, Lumturije Pacolli, transmeton Gazeta Metro.

Nisma Socialdemokrate me sukses është duke e realizuar premtimin e fushatës zgjedhore për punësime, vetëm se të punësuarit janë familjarë të kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj dhe anëtarë e përkrahës të kësaj partie.

Së fundi, në Qendrën e Studentëve (QS) është punësuar motra e Fatmir Limajt, Lumturije Pacolli, si zyrtare për bibliotekë. Ky institucion funksionon në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), që udhëhiqet nga ministri Shyqiri Bytyqi i Partisë Nisma, shkruan sot “Koha Ditore”.

Pacolli ka nisur punën që nga data 22 tetor e vitit 2018 si bibliotekiste në konviktin numër 5. Për këtë pozitë, Qendra e Studentëve kishte hapur konkurs më 10 gusht 2018. Burime të sigurta të gazetës brenda këtij institucioni kanë thënë se Pacolli është punësuar pas intervenimeve të Partisë Nisma dhe Ministrisë së Arsimit.

“Është punësuar bash krejt me intervenime dhe me përshtatje të konkursit, e tëra ka qenë kalkulim”, ka thënë ky burim i gazetës.

Exit mobile version