Kanë mbetur edhe dy javë deri te përfundimi i afatit të vënë nga Bashkimi Evropian (BE) për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKS).
Qysh para katër muajve BE-ja kishte kërkuar që deri më 4 gusht të hartohej statuti i AKS-së, porse një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Këtë e kanë pohuar zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, të cilët kanë thënë për gazetën “Zëri” se ende nuk kanë pranuar draftstatutin e ekipit menaxhues mbi Asociacionin.
Megjithëkëtë, drejtuesit e këtij ekipi kanë paralajmëruar se draftstatuti i Asociacionit do të bëhet sipas Marrëveshjes së Brukselit, rrjedhimisht kundër Kushtetutës.
Pavarësisht kësaj, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është shprehur i vendosur se Asociacioni do të bëhet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.
Mirëpo ndryshe vlerësojnë përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët shprehen të bindur se ekipi menaxhues nuk do ta respektojë Kushtetutën.