Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, edhe pas tre muajve nga mbajtja e zgjedhjeve, ende nuk kanë arritur të bien dakord rreth marrëveshjes për bashkëqeverisje.
Albin Kurti nga LVV-ja dhe Isa Mustafa nga LDK-ja, kanë vazhduar me takimet e tyre për t’u dakorduar për marrëveshje, por këto takime nuk prodhuan ndonjë rezultat pozitiv.
Mustafa sot pati takim me ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, ku pas këtij takimi para mediave deklaroi se zgjidhjen për formimin e institucioneve të vendit e japin nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Zgjidhjen e japin ata, jo ne”, u shpreh shkurt lideri i LDK-së.
Lidhur me këtë deklaratë të Mustafës, ka folur për Telegrafin, anëtarja e kryesisë së LVV-së, Albulena Haxhiu.
Haxhiu ka thënë se janë shumë të interesuar të kenë koalicion me LDK-në, por se nuk kanë garancë që kjo do të ndodhë.
“Ne jemi shumë të interesuar të kemi koalicion me LDK-në. Do te punojmë shumë në këtë drejtim por nuk kemi garancë se kjo do të ndodhë. Garanca është vetëm përkushtimi jonë për jetësimin e vullnetit qytetar të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit”, ka thënë Haxhiu, për Telegrafin.
Ajo ka shtuar se i kanë bërë propozim LDK-së dhe se kamë pritje për këtë.
“Siç kemi thënë publikisht, ne i kemi bërë propozim LDK-së, presim mbledhjen e Këshillit Drejtues për propozimin tonë , siç kanë thënë”, u shpreh Haxhiu.
E pyetur se a do të ketë gjatë kësaj jave takim të Kurtit dhe Mustafës, Haxhiu nuk ka dhënë përgjigje.
Ndryshe, sot anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti përmes një postimi në Facebook, bëri të ditur se takimi i ardhshëm mund të bëhet nëse partia që ka dalë e para ofron zgjidhje për marrëveshje.
“Ne jemi të interesuar për takim, por vetëm për takim për marrëveshje, e jo për vetëm sa për tu takuar”, ka shkruar Hoti.