0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Pas dakordimit për “Vetëmenaxhimin” në Ohër, topi sërish në Bruksel, kur do të nisë zbatimi?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të bëhet, thotë BE-ja dhe SHBA-ja, të cilat kërkojnë zbatim të shpejtë dhe të plotë të marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë të shtunën në Ohër. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u pajtua që ta nisë menjëherë punën për t’ua bërë serbëve një nivel të duhur të vetëmanxhimit, që duket se ka të bëjë me Asociacionin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vuri disa kushte për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Të shtunën në Ohër, në takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ai u pajtua për aneksin e zbatimit të propozimit europian, i cili përmban edhe “një nivel të duhur të vetëmenaxhimit” për serbët e Kosovës.

Kosova u pajtua që të nisë menjëherë punën për sigurimin e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për serbët në Kosovë. Kjo besohet se ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Pas takimit, shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell tha se Kosova është pajtuar “që t’i nisë menjëherë negociatat me BE-në” për të siguruar “një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.

Kryeministri Kurti, i pyetur për Asociacionin, tha pas takimit se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

Megjithatë, aneksi specifikon se kjo duhet të bëhet në përputhje me obligimet nga marrëveshjet e mëhershme në dialog, ku përfshihet edhe ajo për Asociacionin.

BE-ja dhe SHBA-ja kërkojnë tani që marrëveshja e dakorduar të zbatohet me shpejtësi.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Kosova dhe Serbia duhet të nisin menjëherë zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Gjatë një diskutimi virtual me gazetarë, ai tha të hënën rruga europiane e të dyja vendeve kushtëzohet me këtë.

Para takimit të Ohrit, BE-ja ia kishte ofruar Kurtit 16 modele europiane për të drejtat e pakicave, ku ai mund të shohë se çfarë kompetenca mund t’i jepen Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ato modele Kurti kishte thënë se po i shqyrtonin.

Para një jave, Kurti tha se nga këto modele “mund të marrim elemente” dhe se “ato po trajtohen” nga këshilltarët e tij dhe nga disa prej ministrave për të parë se “çka është më e favorshme”.

“Natyrisht, kushtetutshmëria, ligjshmëria, barazia, funksionimi i shtetit janë diçka me të cilat ne nuk bëjmë asnjëherë askund kompromis”, ka thënë Kurti para gazetarëve.

BE dhe SHBA: Asociacioni do të bëhet

Presioni ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit është shtuar dukshëm së fundmi. Emisarët Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar e kanë vënë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në qendër të kërkesave të tyre para takimit, duke iu kërkuar të dyja palëve që të tregohen konstruktivë për ta gjetur një kompromis.

Para takimit në Ohër, Lajçak ishte në Prishtinë dhe Beograd dhe pasi u takua me të dy liderët, tha për televizionin publik serb se Asociacioni do të krijohet.

“Autoriteti më i lartë i BE-së thotë se duhet të krijohet Asociacioni. SHBA thotë që Asociacioni duhet të krijohet. Pra duhet të krijohet Asociacioni dhe do të krijohet”, ka thënë Lajçak.

Ai ka thënë se “nëse nuk ka Asociacion, nuk ka marrëveshje dhe nuk ka normalizim”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve për modelet e Asociacionit, Lajçak ka thënë se ajo që u nënshkrua në vitin 2013 dhe 2015 nuk u zbatua, por ka theksuar se “këtë herë duhet të ndodhë”. Ajo marrëveshje e nënshkruar 10 vjet më parë, nuk është braktisur, ka thënë Lajçak.

Paraprakisht, këtë kërkesë e kishte bërë të qartë i dërguari i SHBA-së për dialogun, Gabriel Escobar, i cili e kishte pasuar kolegun e tij europian në një tour në Prishtinë dhe Beograd para takimit të Ohrit.

Pas takimit me opozitën pro-europiane në Beograd, Escobar tha të enjten para gazetarëve në Beograd se Asociacioni “do të bëhet realitet”.

Çdo gjë për të cilën tashmë është rënë dakord nuk do të diskutohet më tej, ka thënë Escobar, duke përmendur Asociacionin.

Ai kishte thënë se në Ohër “ne dëshirojmë të shohim pranimin se Asociacioni është një pjesë e rëndësishme e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.

Asociacioni, Escobar ka thënë se “do të bëhet realitet”, dhe se “pyetja e vetme është se sa shpejt do të ndodhë dhe cili model do të aplikohet”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img