Site icon PrishtinaPress

Pas breshrit e shiut të madh, bujqve të Suharekës u premtohet kompensim i dëmit me para (Video)

Dëmet që janë shkaktuar nga shiu i së martës në fshatin Neperbisht të Suharekës janë të mëdha. Madje, Qamil Shalës nuk iu mundësua të shkojë tek ara e tij në këmbë.

Shala tha se i janë dëmtuar të gjitha prodhimet bujqësore.

“Shiu na ka bërë dëme të pariparueshme. Kam pasur të mbjella bostan, kungulleshka e marulla në një sipërfaqe prej një hektarë e gjysmë. Dëmi është i qind për qind”, thotë për RTV Dukagjinin, Qamil Shala.

Dëme nga të të reshurat ka pësuar e gjithë fshati. Xhemil Haxhiolli, thotë se janë të shqetësuar me dëmtimet që janë bërë në bujqësi.

“Para orës 7:00 kemi dal sot bashkë me Kryetarin dhe kryesinë e fshatit dhe kemi konstatuar se dëmet janë të mëdha dhe shumë të kushtueshme. Dëmi te kulturat bujqësore janë të pariparueshme. Nuk ka ndonjë shancë që bujku të merr diçka nga këto të mbjella”, thotë për RTV Dukagjinin, Xhemil Haxhiolli.

Për ta parë nga afër gjendjen, doli edhe kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj. Ai tha për RTV Dukagjini se nga fondi rezervë do të mundësohet që të sanohen këto dëme.

“Në momentin që bëjmë vlerësimin e dëmeve do të kërkojë zyrtarisht nga Ministria e Bujqësisë mbulimin e shpenzimeve, por nëse nuk arrijë të marrim diçka nga ta në kemi një fond emergjent ku do të ndajmë një shumë prej 30 mijë eurove për bujqit që sadopak t’i ndihmojmë”, tha Bali Muharremaj.

Dëme pati edhe në disa fshatra të tjera të kësaj komune jo vetëm në bujqësi por edhe në rrugë, si në Studenqan, Samadrexhë, Tërrnie, etj.

Përndryshe, Komuna e Suharekës ishte dëmtuar edhe vitin e kaluar nga të reshurat. Qeveria e Kosovës kishte ndarë 1,1 milionë euro për sanimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.

Exit mobile version