Kanë kaluar 12 ditë nga tërmetet e tmerrshme që goditën Turqinë dhe po vazhdon ende kërkim shpëtimi i personave që kanë mbetur nën rrënoja.
Por futbollisti ganez Christian Atsu nuk e kishte fatin që të nxirrej i gjallë nga banesa e tij, pasi tani trupi i tij i pajetë është nxjerrë nga rrënojat.
Pas 12 ditëve kërkime të pandërprera, është konfirmuar vdekja e ish-sulmuesit ganez që ka bërë karrierë edhe te Chelsea, Newcastle United e Porto.
Atsu ishte pjesë e skuadrës turke Hatayspor, derisa ishte në banesën e tij në momentin që kishte ndodhur tërmeti dhe që nga ajo ditë përkundër përpjekjeve të mëdha nuk mundej të nxirrej i gjallë.
Ka qenë menaxheri i lojtarit, Nana Sechere që ka konfirmuar vdekjen e ish-reprezentuesit të Ganës.
“Me zemër të thyer më duhet t’iu njoftoj të gjithë dashamirësve që fatkeqësisht trupi i Christian Atsu u gjet këtë mëngjes”.
“Ngushëllimet e mia më të thella shkojnë për familjen dhe të dashurit e tij. Do të doja të përfitoj nga ky rast për t’i falënderuar të gjithë për lutjet dhe mbështetjen e tyre”, ka shkruar menaxheri i futbollistit.
Të gjithë familjarët e Atsu ndodhen në qytetin e Hatayt duke pritur nxjerrjen e trupit të ganezit.
Por përkundër se trupi i Atsu u gjet, në të njëjtën ndërtesë jetonte edhe drejtori sportiv i Hatayspor Taner Savut, por trupi i tij deri më tani ende nuk është nxjerrë.