Pas takimit të djeshëm të lierit të BDI-së Ali Ahmetit me liderët e koalicionit Alenca për Shqiptarët – Ziadin Sela i LR-PDSH, Gëzim Ostreni i Unitetit dhe Vesel Memedi i RDK-së, sot pjesëmarrësit në takim dolën me një deklaratë të përbashkët ku njoftojnë për rezultatet e takimit.
“Duke u nisur nga rezultati i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 11 dhjetor të këtij viti;
Duke njohur vullnetin e votuesit shqiptar si dhe dëshirën e shprehur të popullit shqiptar që subjektet tona të bashkërendisin forcat, mundësitë dhe resurset e tyre për të arritur rezultate më të mira në bisedimet politike që do pasojnë;
Duke qenë të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e situatës në vend si dhe për nevojën e patjetërsueshme për të ecur drejt progresit;
Ne, kryetarët e partive politike shqiptare në Maqedoni u takuam sot në Shkup, për të diskutuar hapat e mëtejmë që kanë të bëjnë me perspektivën shqiptare në vend, të ardhmen e vendit dhe qytetarëve tanë në përgjithësi;
Konsiderojmë se: të gjithë ne kemi më shumë çështje që na bashkojnë përkundër dallimeve që ne kemi;
Vlerësojmë se: është më se i nevojshëm instalimi i një tryeze të rregullt bisedimesh mes subjekteve politike shqiptare në vend sa u përket çështjeve të interesit kombëtar shqiptar në veçanti e atij të përbashkët në përgjithësi;
E çmojmë të rëndësisë së veçantë që: këto takime të kenë si përfundim një platformë të përbashkët të përkrahur nga të gjithë ne;
Duke pasur parasysh të gjitha faktet e sipërpërmendura, ne sot, në një frymë vëllazërore biseduam mbi temat tona të përbashkëta, I iniciuam të njëjtat dhe ramë dakord që sa më shpejtë të mbajmë takimin tone të dytë për të qartësuar linjat dhe qëndrimet tona. Gjithsesi që ky proces mbetet I hapur edhe për subjektet tjera politike shqiptare, gjithnjë duke pasur parasysh faktin që përgjegjësi për të ardhmen e shqiptarëve në vend kanë të gjithë subjektet politike që kanë qenë pjesë e procesit zgjedhor.
Ne subjektet politike shqiptare në Maqedoni, mbetemi të angazhuar për arritjen e barabartësisë së tërësishme të shqiptarëve dhe maqedonasve në vend. Përcaktimi për të ardhmen Euro-Atlantike të vendit tonë ngelet një ndër prioritetet kyçe impenjimit të mëtejmë politik.
Respektojmë kontributin e çmueshëm të partnerëve tanë ndërkombëtarë për paqen, stabilitetin, demokratizimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë;
Dhe përfundimisht vlerësojmë se bashkëpunimi mes subjekteve politike shqiptare është një kontribut i drejtpërdrejtë në stabilitetin, zhvillimin, demokratizimin dhe europianizimin e vendit.”.
Ftesën për takim e refuzoi lideri i Lëvizjes Besa Bilall Kasami, me arsyetimin se nuk do të ulet në një tryezë me përfaqësues të BDI-së që përmenden në “bombat” e publikuara dhe që me votimin në KSHZ kontribuan që partia e tij të humbë një deputet. /Gazeta Expess/