Site icon PrishtinaPress

Partitë politike flasin për zgjedhje, por s’kanë dakordim për to

E enjtja pritet të jetë vendimtare se a do të shkojë vendi në zgjedhje të parakohshme apo jo.

Të gjitha partitë politike po flasin për zgjedhje të reja, por ende nuk ka dakordim se si të shkohet para kohe në zgjedhje. PDK është pajtuar që në zgjedhje të shkohet nëpërmjet shpërndarjes së Kuvendit, por LDK e AAK kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Kurti ose shkarkimin e tij.


Gjasat që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme duket të jenë minimale, vlerësojnë njohës të zhvillimeve politike.

Sipas tyre, kërkesat e partive politike për zgjedhje janë të pasinqerta, duke marrë parasysh që deri te zgjedhjet e rregullta kanë mbetur edhe pak muaj.

“Gjasat që të kemi zgjedhje të parakohshme janë minimale sepse edhe pozita edhe opozita janë të pasinqerta në këtë kërkesë. Më shumë një gjë e tillë po bëhet për konsum elektoral, për t’i treguar njëra – tjetrës së janë të gatshme për zgjedhje. Pozita t’i tregojë opozitës se nëse ju jeni të gatshëm edhe ne jemi të gatshëm, e po ashtu edhe opozita duke treguar para votuesve që keqqeverisja na shtyn me pasë një kërkesë të tillë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, tha për RTK-në analisti Fidan Ukaj.

Ndërkaq, analistja Arta Tahiri-Beqa tha se të dyja taborret po bëjnë kalkukime.

“Te PDK pas takimit me Kurtin, në deklaratat e tyre të herëpashershme, po tregojnë që mund të ketë një marrëveshje parazgjedhore, për koalicionin e mundshëm sipas këndvështrimit tim pas përfundimit të rezultateve të zgjedhjeve, nëse mund të ndodhin zgjedhjet e parakohshme. Sigurisht zgjedhjet nuk mund të ndodhin në çdo skenar në kohë rekord, sepse duhet respektuar edhe kufijtë ligjor dhe kushtetues”, tha ajo.

Tri partitë opozitare në vend duan zgjedhje të parakohshme, por nuk pajtohen se si të arrijnë deri te to. PDK është pajtuar që në zgjedhje të shkohet nëpërmjet shpërndarjes së Kuvendit, por LDK e AAK kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Kurti ose shkarkimin e tij.

Exit mobile version