10.7 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Buy now

spot_img
Home Uncategorized Partitë larg marrëveshjes për postin e Presidentit

Partitë larg marrëveshjes për postin e Presidentit

79
Advertisement

Partitë larg marrëveshjes për postin e Presidentit

Advertisement

Partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje për postin e presidentit, megjithëse sot bëhen një muaj prej kur Kosova është me ushtrues detyre të presidentit. “Betonimi” i qëndrimeve të partive parlamentare po konsiderohet si arsye se kjo gjendje do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm, përkundër paralajmërimeve të kryeministrit Avdullah Hoti për tryezë politike. Ndërkohë partitë nuk shprehen as të gatshme që krye vete të iniciojnë procedurat në Kuvend për zgjedhjen e presidentit.

Deputeti i LDK-së, Faton Bislimi për KosovaPress thotë se koalicioni qeverisës nuk ka ende një kandidat për president të vendit, por shpreson se do të gjendet një zgjidhje.

“Koalicioni qeverisës ende nuk ka kandidat për president. Ju e dini që ekziston tanimë një ftesë e kryeministrit Hoti për një tryezë me liderët partiak në mënyrë që të dakordohen për mundësinë e zgjedhjes së presidentit. Shpresoj që liderët politikë të vendit do të gjejnë mundësinë më të mirë të mundshme që zgjidhja e presidentit të kryhet. E mandej nëse ka nevojë të shkohet në zgjedhje ne si LDK nuk i frikësohemi zgjedhjeve në asnjë moment”, deklaron ai.

Ani pse ka muaj që AAK-ja ka propozuar Ramush Haradinaj për president të vendit, ata ende nuk e shohin të arsyeshme të mbledhin nënshkrime për të proceduar në Kuvend kandidaturën e tij.

Deputeti Pal Lekaj thotë se procedurat në Kuvend mund të nisen posa të ketë pajtueshmëri të gjerë. Por në rastin e kundërt, Lekaj për KosovaPress thotë se 14 deputetët e AAK-së nuk votojnë asnjë kandidat përveç liderit të tyre.

“Sa i përket procedurave është kushtetuese të merren tridhjetë nënshkrime. Por ne ende nuk kemi filluar, pasi nuk kemi një pajtueshmëri me subjektet tjera politike që janë në parlament. Pasi të dakordohemi dhe merremi vesh për kandidimin e zotëri Haradinaj për president ne do t’i mbledhim edhe nënshkrimet…Ne e kemi bërë të qartë që në fillim, ne 14 deputetët e AAK-së nuk votojnë asnjë kandidatë tjetër për president…do të vijë edhe koha kur do të ulemi dhe dakordohemi, ka një përafrim por jo aq sa mund të themi është e kryer puna. Shpresoj që ditët në vijim, apo javën e ardhshme të ulemi të gjitha subjektet politike që të bëjmë një zgjidhje”, thotë ai.

Mosinteresim për këtë çështje shprehën në Lëvizjen Vetëvendosje. Deputeti, Artan Abrashi thotë se në këtë legjislaturë nuk mendojnë të procedojnë një kandidat për president.

“Ne besojmë që Kuvendi si autoritet që bënë përzgjedhjen e presidentit nuk mund të procedojë këtë çështje. Unë besoj që ky formacion i kuvendit ka devijuar nga vullneti i qytetarëve që ka dalë nga vota e 6 tetorit. Rrjedhimisht e konsiderojmë të papërshtatshëm votimin e presidentit në këto rrethana. Tash krejt çka dëgjojmë është propozime politike dhe partiake që nuk reflektojnë me kritere që duhet t’i plotësojë një person si presidenti që paraqet unitetin e popullit. Rrjedhimisht LVV-ja në këtë legjislaturë nuk mendon të procedon një kandidatë për president”, thotë ai.

Qëndrim të njëjtë, për KosovaPress shpreh edhe zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, i cili thotë se aktualisht në parti nuk kanë diskutuar për këtë postë dhe rrjedhimisht nuk mund të procedojnë kandidat të tyre për president në Kuvend.

Ndërsa, njohësi i Kushtetutës së vendit, Kushtrim Palushaj shpjegon për KosovaPress rrjedhjen e afatit kur procedohen në Kuvend dy kandidatura për president të vendit.

“Me një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese është përcaktuar se së paku të jenë dy kandidatë për president. Është përcaktuar ajo procedura e votimit të parë me dy të tretat e votave, nëse nuk sigurohet atëherë raundi i dytë. Në këtë rast duhet të kenë formalisht së paku dy kandidatë me tridhjetë nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Mirëpo siç duket partitë politike nuk kanë konsensus për kandidatë të cilët mund të zgjedhshin për president. Atëherë kandidatët e tillë duhet të marrin vetiniciativë dhe të mbledhin nënshkrimet dhe dorëzojnë në Kuvend për t’iu nënshtruar procedurës si president…afati është dy muaj 60 ditë kur duhet të zgjedhet presidenti i Kosovës dhe nëse nuk zgjidhet brenda 60 ditëve Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje”, thotë ai.

Kryeministri Avdullah Hoti ka paralajmëruar takim me liderët e partive politike javën e ardhshme për të gjetur një zgjidhje për presidentin. Që nga 5 nëntori në krye të shtetit si ushtruese e detyrës është Vjosa Osmani.

PostAdssFotoja e reklamës