Zyrtarë të AAK-së, të cilët do të jenë nikoqirë të takimit të pestë, i kanë thënë gazetës “Zëri” se tryeza e radhës do të duhej të mbahej për dialogun Kosovë – Serbi, porse meqë ende nuk është arritur ndonjë konsensus i brendshëm rreth kësaj teme takimi në fjalë është shtyrë për një kohë të pacaktuar.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e LDK-së, të cilët e kishin nisur praktikën e tryezave me qëllim që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, kanë pohuar se ende vazhdojnë të mbeten për opsionin e zgjedhjeve.
Por ndonëse kishin paralajmëruar se do ta organizonin edhe një tryezë në fund të ciklit, nga LDK-ja kanë thënë se ende nuk është diskutuar rreth kësaj çështjeje, shkruan më tutje “Zëri”.
E deputetët e LVV-së konsiderojnë se mbajtja e tryezave është e kotë, pasi temat e mëdha duhet të diskutohen vetëm në Kuvendin e Kosovës.
Ndërkohë, deri më tash janë mbajtur katër tryeza gjithsej, të thirrura nga LDK-ja, PDK-ja, LVV-ja dhe PSD-ja.