2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Buy now

spot_img

Partitë “harrojnë” liberalizimin si premtim zgjedhor

Premtimet e partive politike ndaj qytetarëve të Kosovës për çështje dhe fusha të ndryshme të jetës në vend, tashmë ka javë që kanë nisur, në një lloj para-fushate zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, por asnjë ato, deri më tash, nuk e ka përmendur liberalizimin e vizave, si premtim që mund të realizohet, vlerësojnë njohësit e integrimeve evropiane dhe të çështjeve politike.

Jehona Lushaku-Sadriu, politologe dhe njohëse e integrimeve evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nuk është aktualisht në fjalorin elektoral të partive politike, për shkak se të njëjtat parti e kanë përdorë me të madhe këtë çështje si premtim zgjedhor pa mbulesë, për faktin se kjo çështje nuk varej dhe nuk varet edhe më tej nga partitë politike, ndërkohë që premtimet i kanë rritur pritjet e qytetarëve, të cilat nuk janë menaxhuar.

“Prandaj tash, duke qenë të vetëdijshme (partitë politike) dhe duke qenë dëshmitare se nuk kanë arritur ta përmbushin liberalizimin si premtim, si dhe që nuk varet si proces nga partitë politike, por varet tash nga Bashkimi Evropian, ato kanë vendosur që të mos e përdorin në diskursin e tyre gjatë fushatës. Nuk do të habitesha nëse disa parti , që kanë qenë në pushtet herën e fundit, do ta përdorin pak a shumë, por nuk do të shkojnë me premtime që ky proces do të ndodhë menjëherë, për shkak se dihet që nuk ka mundësi të realizohet menjëherë”, tha Lushaku-Sadriu.

Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që shmangia e ‘kartës’ së liberalizimit të vizave, si premtim zgjedhor nga partitë politike, tashmë është pasojë e vet historikut të procesit të liberalizimit të vizave gjatë viteve të kaluara, e në veçanti gjatë vitit 2018.

Premtimet se Kosova do ta marrë liberalizimin e vizave në vitin 2018, që ishin bërë nga liderët politikë, por edhe institucionalë, e ka shndërruar këtë premtim, i cili më parë sillte vota për partitë politike, në një bumerang politik që humbë vota.

“Kemi pasur deklarimet e të gjithëve. Tani, në një kontekst të tillë, politikanët e kanë parë që, në mungesë të rezultateve kundër korrupsionit të nivelit të lartë, nuk do të ketë liberalizim të vizave, rrjedhimisht tashmë nuk e përdorin liberalizimin e vizave si premtim elektoral. Në veçanti, duke pasur parasysh faktet, që gjatë vitit 2019 nuk ka gjasa të ndodhë liberalizimi, ndërkaq që për vitin 2020 është një pikëpyetje e madhe”, vlerësoi Shasha.

Ndërkaq, Lushaku-Sadriu, thotë se çështja e luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë është kriter që lidhet, jo vetëm me liberalizimin e vizave, por me të gjitha proceset integruese evropiane, si dhe ndërtimin dhe mirëmbajtjen e shtetit të Kosovës.

“Kështu që, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ishte dashur që të jetë krye-tema e të gjitha partive politike e që pastaj, si konsekuencë, lidhet edhe me liberalizimin e vizave, por jo që është tema e vetme që lidhet me liberalizimin”, tha Lushaku-Sadriu.

Por, Shasha vlerëson se çfarëdo debati eventual i partive politike lidhur me liberalizimin e vizave, është i lidhur drejtpërdrejtë me çështjen e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Debatit nuk besoj që mund t’i ikin, pasi që është një nga çështjet që e preokupon vëmendjen e qytetarëve dhe patjetër që do të duhej të diskutohet brenda këtyre 4 javëve që janë para nesh. Por, esenciale është që asnjë parti dhe asnjë politikan të mos përmend data, pasi që nuk është kompetencë e tyre, por të propozojnë mënyra të ndryshme se si ata e shohin që, një vit nga sot, të sigurojnë rezultatet të prekshme në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, u shpreh Shasha.

Pavarësisht që fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë ende nuk ka nisur zyrtarisht, partitë politike tashmë kanë nisur një lloj para-fushate, duke organizuar tubime me aktivistë dhe qytetarë, si dhe përmes paraqitjeve në medie. Fushata zgjedhore, zyrtarisht nis më 24 shtator dhe zgjatë deri më 4 tetor.

Premtimet për liberalizimin e vizave patën nisur qënë vitin 2009, kur kryeministri i atëhershëm dhe presidenti i tanishëm i Kosovës, Hashim Thaçi, pati thënë se ky proces do të përfundonte brenda 15 muajve.

Të njëjtin premtim ai e bëri edhe në vitin 2011. Në vitin 2015, ish kryeministri Isa Mustafa, kishte premtuar që në vitin 2016 qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në zonën Shchengen. Në fillim të majit të vitit 2019, kryeministri tash në dorëheqje, Ramush Haradinaj pati deklaruar se Gjermania i ka premtuar se vizat do të hiqen shumë shpejt dhe uroi qytetarët e Kosovës për liberalizimin e vizave.

Procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka filluar në vitin 2012 dhe ai ende nuk është finalizuar.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img