4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Partia e Drejtësisë mbështet Kurtin për ujdinë e Ohrit

Partia e Drejtësisë i ka dhënë mbështetje ujdisë së arritur në Ohër në mes të kryeministri të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq.

PD në një komunikatë dërguar medieve, është shprehur e bindur se Serbia e ka bërë njohjen de facto të shtetësisë së Kosovës me mbështetjen publike të parimeve të marrëveshjes themelore të 27 shkurtit.

“PD vlerëson se përmbushja e detyrimeve të marra të palëve nënshkruese që do të monitorohet nga trupi politik i kryesuar nga BE,  domosdoshmërisht do të qoj, brenda afatit të shkurtër kohor, në fitimin e statusit kandidat për anëtarësim në BE, anëtarësim në Këshillin e Europës dhe programin e NATO-s të partneritetit për paqe, si dhe anëtarësimin në Interpol, UNESCO, OBSH dhe organizatat e tjera të rëndësishme ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e PD-së.

Komunikata e plotë e PD-së:

Partia e Drejtësisë vlerëson arritjen e pajtimit në Ohër rreth aneksit të marrëveshjes së 27 shkurtit ndërmjet Kosovës e Serbisë, ndonëse të paformalizuar me nënshkrim por publikisht të pranuar nga palët, si sukses të diplomacisë ndërkombëtare dhe hap të duhur në drejtim të fuqizimit të proceseve integruese euro-atlantike të vendit. Situata aktuale paraqet test për partnerët ndërkombëtar se sa do të jenë në gjendje që në mënyrë efektive të monitorojnë zbatimin e dokumenteve të dakorduara dhe të marrin masa efektive siç kanë proklamuar.

PD është e bindur se Serbia e ka bërë njohjen de facto të shtetësisë së Kosovës me mbështetjen publike të parimeve të marrëveshjes themelore të 27 shkurtit, por njëkohësisht me mosnënshkrimin e marrëveshjes dhe aneksit të sajë ka dëshmua qartë se po mundohet të blejë kohë sepse e kaluara na mëson se realisht nuk do t’i zbatojë.

PD vlerëson se përmbushja e detyrimeve të marra të palëve nënshkruese që do të monitorohet nga trupi politik i kryesuar nga BE,  domosdoshmërisht do të qoj, brenda afatit të shkurtër kohor, në fitimin e statusit kandidat për anëtarësim në BE, anëtarësim në Këshillin e Europës dhe programin e NATO-s të partneritetit për paqe, si dhe anëtarësimin në Interpol, UNESCO, OBSH dhe organizatat e tjera të rëndësishme ndërkombëtare.

Përmbushja e detyrimeve që dalin nga marrëveshjet e ratifikuara në Kuvendin e Kosovës të vitit 2013 dhe 2015 paraqet detyrim shtetëror dhe duke pasur parasysh historinë e miratimit të tyre në Kuvendin e Kosovës duhet të paraqet bazë reale për arritjen e konsensusit të plotë politik rreth kësaj çështje tejet sfiduese juridike e politike.

Partia e Drejtësisë kërkon që pa humbur kohë të fillojë puna në draftimin e Statutit të aranzhimit të ri politik të vetmenaxhimit të komunitetit serb në nivelin komunal në Kosovë, që duhet të formohet sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vendit, në pajtim me të gjitha dispozitat e tij, të cilat kanë edhe përkrahje të plotë e të gjerë ndërkombëtare. PD thekson se ky statut domosdoshmërisht duhet të miratohet në Kuvendin e Kosovës.

PD apelon te të gjitha subjektet politike që betejën e ndërsjellë politike ta lënë për periudhën parazgjedhore kurdo që ajo të shpallet ligjërisht dhe që në këtë kohë e cila matet me ditë, të gjitha energjitë kreative politike, intelektuale e profesionale t’i përqendrojnë në gjetjen e zgjidhjeve më të përshtatshme politike e juridike për funksionalitetin e shtetit.

PD është e bindur se Serbia nuk do të pranoj asnjë formë organizative të vet-menaxhimit të komunitetit serb që nuk ka kompetenca ekzekutive në kundërshtim me Kushtetutën e vendit; prandaj ballafaqimi sa më i shpejtë i Serbisë dhe komunitetit ndërkombëtar më këtë realitet politik ka rëndësi strategjike për vendin.

Partia e Drejtësisë konsideron se periudha e ardhshme tre-mujore duhet të cilësohet me shkallën maksimale të bashkëpunimit të qeverisë së vendit me partnerët ndërkombëtar dhe vendor. Serbisë duhet ti merret sa më shpejtë që është i mundur argumenti i mosplotësimit të detyrimeve të marra nga ana e shtetit tonë dhe duhet të arrihet ballafaqimi sa më i shpejtë i politikave dhe synimeve të saja hegjemoniste me partnerët ndërkombëtar. PD vlerëson se besimi i Kosovës në partnerët ndërkombëtar Europian dhe Amerikan do të shpërblehet shpejtë me veprim të vendosur dhe të koordinuar të tyre në drejtim të sigurimit të integrimit sa më të shpejtë të Kosovës në të gjitha strukturat relevante politike dhe të sigurisë euro-atlantike dhe më të gjërë deri në anëtarësimin me të drejta të plota në OKB.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img