Në draft-raportin e Parlamentit Evropian për Kosovën kërkohet heqja e masave të Bashkimit Evropian të vendosura në qershor të viti 2023.
“Ftojmë për heqjen e menjëhershme të masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat nuk janë më të arsyeshme dhe janë në kontradiktë me përkushtimin e dëshmuar të Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe përshtatjen me politikat e BE-së”, thuhet në draft.
Në draft gjithashtu vlerësohet përkushtimi i Kosovës për integrim në BE. Nënvizohet se e ardhmja e Kosovës është në BE dhe përpjekjet për ta nxjerrë Kosovën nga një zonë gri është në interes edhe të Kosovës edhe të BE-së.
Në këtë draft raport mbështetet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimit Evropian dhe ftohen vendet anëtare të cilat nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë këtë pa vonesa të reja.
Gjithashtu kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin për tiu bashkuar programit të Partneritetit për paqe të NATO-s.
Për çështjen ka folur, Aivo Orav, shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, i cili deklaron se për heqjen e masave ndaj Kosovës duhet konsensusi i 27 shteteve të BE-së dhe ka diskutime që janë në proces e sipër për këtë çështje.
“Mua më duket që shpesh herë ashtu është deklaruar edhe prej nivelit të BE-së se Bashkimi Evropian nuk është i plotë derisa vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare”.
“Shpresoj që kjo do të ndodhë shpejtë e të mos shtyhet për më vonë, mirëpo nga ana e Kosovës duhet të përmbushen edhe shumë kushte dhe të kryhen detyrat e caktuara. Për të hequr masat duhet konsensusi i 27 shteteve të BE-së pastaj ka edhe diskutime të cilat janë në proces e sipër”, tha Orav.