Site icon PrishtinaPress

Parlamenti Europian tregon kur mund të votohet teksti i dakorduar për vizat

Përfaqësuesit e Parlamentit dhe Këshillit Europian të mërkurën arritën marrëveshje për liberalizimin e vizave për Kosovën. Procedura e radhës tashmë bartet te përfaqësuesit e 27 vendve anëtare të BE-së, të cilët duhet ta miratojnë këtë marrëveshje dhe për votim në Parlamentin Europian.

Ky institucion në një përgjigje për Gazetën Express ka dhënë një datë të përafërt se kur do të mund të votojnë për liberalizimin e vizave. Por, këtë vit ka pak gjasa të ndodhë. 

“Kam frikë se hapat e ardhshëm nuk do të ndodhin këtë vit. Kjo është planifikuar për votim në Komitetin e Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) më 12 janar. Data plenare ende mbetet për t’u konfirmuar, teorikisht mund të jetë në javën që fillon më 16 janar, por do të shohim kur të afrohet data”, tha një zëdhënës i Parlamentit Europian për Express.

Sidoqoftë, Parlamenti Europian ka dëshmuar që është pro liberalizimit të vizave me votimet e e veta dhe ankohej që kosovarët kishin mbetur të vetmit në Ballkan me regjim të vizave.

“Pas heqjes së vizave për shtetasit e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë në vitin 2009 dhe për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në vitin 2010, Kosova mbeti e izoluar, duke u bërë vetmi vend ballkanik, shtetasve të së cilës u duhej ende viza për të udhëtuar në BE”, thoshte PE.

Heqja e vizave do të hyjë në fuqi kur sistemi europian i udhëtimit, ETIAS, të jetë funksional, por BE është dakorduar që kosovarët do të udhëtojnë në çfarëdo rasti jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.

Çështja e liberalizimit të vizave u zhbllokua përfundimisht në Këshillin e BE-së më 30 nëntor të këtij viti për të kaluar në procedurat e tjera.

Hapat e ardhshëm

Pas arritjes së marrëveshjes së djeshme, duhet edhe një takim i ambasadorëve të BE-së për të miratuar tekstin e dakorduar.

Pas kësaj faze, çështja e liberalizimit kthehet sërish në Parlamentin Europian për të votuar.

Më pas ambasadorët e BE-së do të duhet të votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave dhe  po ashtu me shumicë të thjeshtë edhe Këshilli i Ministrave të BE-së.

Akti ligjor duhet të nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Europian, Këshilli Europian, Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian.

Vendimi duhet të publikohet në gazetën zyrtare dhe liberalizimi i vizave hyn në fuqi në afatin e dakorduar.

Exit mobile version