5.9 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Buy now

spot_img

“Parking Center” mohon se pati rrjedhje të ujit në parkingun nëntokësor: Për çdo dëm paguajmë ne

Një ditë pas hapjes së parkingut nëntokësor në Prishtinë, i konsideruar me çmimet më të shtrenjta në rajon, në rrjete sociale u publikuan fotografi duke thënë se pati rrjedhje uji. Megjithatë, menaxhmenti i “Parking Center”, kompania që ka nën pronësi, mohoi se ka pasur ndonjë problem, por tha se uji i fotografuar është për shkak të pastrimit të përditshëm.

Drejtori menaxhues “Parking Center”, Korab Fazliu, deklaroi për KosovaPress se parkingu i nënshtrohet procedurave të pastrimit, duke mohuar ndonjë problem.

“Jo, nuk ka pasur rrjedhje të ujit prej jashtë, parkingu është në pastrim e sipër edhe pse e kemi pastruar 5 herë me makinat qe i përdorim, mirëpo e kemi pastruar edhe me ujë, pra me zorrë. Parkingu do të jetë në mirëmbajtje 24 orë. Nëse pjesa e nivelit -1 është e tharë, pjesa e nivelit -2 do të jetë e lagur për arsye se makineritë non-stop punojnë, punëtorët punojnë 24 orë”, tha Fazliu.

Ai u shpreh se edhe nëse ka ndonjë problem në të ardhmen me parkingun, qytetarët duhet të jenë të qetë, pasi rregullimi nuk do të bëhet me paratë e tyre, por me të kompanisë.

“Edhe në rast se në të ardhmen do të kemi problem me ujë ose diçka tjetër jemi ne si kompani që kemi investuar prej fillimit, që do të investojmë përsëri, pra parkingu është ndërtuar me paratë e kompanisë, jo me paratë e taksapaguesve, kështu që qytetarët e Prishtinës te jenë të qetë, çdo problem evident që mundet me ndodhë në të ardhmen është kosto e kompanisë tonë, mirëmbajtja ose 20 persona që i kemi në grup për mirëmbajtjen e parkingut. Po ashtu, edhe pagat e tyre janë barrë e kompanisë tonë, pra ne marrim përsipër gjithçka që çka ndodh në këtë parking, nëse ndodh dëm ose diçka tjetër ne i rregullojmë ato dëme”, vijoi Fazliu.

Një tjetër kritikë që është dhënë për parkingun ka qenë edhe çmimi i lartë. Krahasuar me Tiranën që tre orë parkim i ka 1 euro e 70 centë e po ashtu edhe me Shkupin që po ashtu një orë parkim i ka rreth 80 centë, në Prishtinë një orë është 1 euro. Megjithatë çmimet ndryshojnë pas orës së katërt.

“Çmimet në ‘Parking Center’ është sikurse në çdo parking tjetër në qendrën e Prishtinës, ka kohë të gjatë tashmë 5-6 vite që në qendër të Prishtinës veturat kanë paguar 1 euro për një orë gjatë kohës së parkingut. Dallimi jonë me parkingjet e tjera është se pas orës së katër të qëndrimit, çmimi zbret në 80 centë në orë, pra nëse e parkon veturën gjashtë orë atëherë nuk do të paguajë 6 euro por do ta paguaj 5 euro e 60 centë”, tha ai.

Çmimet më të larta janë për abonime mujore e më gjatë. Por, Fazliu tha se çmimet e larta janë pikërisht për të shmangur sa më shumë abonime të tilla, pasi parkingu synon të funksionojë si parking ditor dhe jo të rezervohet me abonime.

“Plani i parkingut nëntokësor është shkarkimi i trafikut, nuk mund të lirojmë të gjithë parkingun me abonim njëvjeçar për arsye se parkingu ka 530 parkingje, nëse 530 vende i rezervojmë me parking njëvjeçar, asnjë veturë tjetër nuk ka të drejtë të shfrytëzojë parkingun tonë, që do të thotë në bazë të statistikave të Komunës mbi 250 mijë vetura që e vizitojnë Prishtinën nuk mund të kenë qasje në parkingun tonë. Çmimet e larta për abonime është për arsye të shmangies së këtyre abonimeve dhe të realizojmë planin që kemi, që të jetë parking ditor jo të jetë me abonime”, u shpreh ai.

Fazliu shtoi se çmimorja mund të ndryshojë nëse vlerësohet një gjë e tillë, mirëpo shprehet se veçse janë duke i diskutuar disa oferta që kanë të bëjnë me fundjavën, për ditët e festave apo orët e vona të natës.

“Në atë moment që shohim që është e nevojshme të bëhet ndryshimi do ta bëjmë ndryshimin, ende pa u shfaqur lajmet për çmimet, ne si bord, si menaxhment, kemi diskutuar për ofertat e ndryshme që parkingu jonë do të ofrojë, për shembull gjatë vikendeve, orëve të vona të natës ose gjatë festave. Çdo gjë është e ndryshueshme nevojitet kohë, diskutime në rast se koordinohemi me Komunën e Prishtinës, gjithçka ndryshohet ne vetëm e zbatojmë… Për arsye se tregu na ka treguar çmimin, në çdo qendër të Prishtinës parkingu është 1 euro edhe ne e kemi 1 orë – 1 euro”, tha ai.

Qytetari Sabri Klaiqi, tha se është bërë një zgjidhje jashtëzakonisht e mirë për qytetarët. Ai konsideron çmimet se janë optimale, sipas tij këto çmime i ke kudo ku parkon.

“Unë mendoj se është bërë një zgjidhje jashtëzakonisht e mirë për qytetarët e Prishtinës, edhe pse është folur shumë e përflitet për çmimin, mendoj se edhe çmimet janë shumë optimale sepse marrë parasysh nëpër parkingjet private kudo që e dërgon nëse e lenë 10 minuta t’i merr 1 euro kurse këtu e ke sigurinë, e ke ambientin, e ke infrastrukturën dhe plus asaj je ne qendër te qytetit”, tha ai.

Me hapjen e djeshme të Parkingut nëntokësor te Fakulteti Filologjik në Prishtinë, dje sot dhe nesër parkingu do të jetë falas. Hapja e tij, përpos çmimeve solli dhe reagimin e organizatave studentore, të cilat thanë se iu është marrë pa të drejtë hapësira e tyre para Fakultetit Filologjik, madje në dy raste ka pasur edhe aksione simbolike për të kundërshtuar këtë projekt.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img