1.4 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

Buy now

spot_img

Parja ta bën atdhe Zvicrën

Para disa ditësh shpreha bindjen se shqiptarët tanë që luajnë me Zvicrrën nuk do të veshin fanellën e përfaqësueses së Kosovës. Sipas meje, (dhe kjo bindje më është forcuar) djemtë e shqipes nuk e bëjnë se nuk e duan tokën e tyre, por interesat ekonomike janë më të mëdha se sa hovi që të jep kënga e Ilir Shaqirit: “Kosovë oj nana ime” (me ndërhyrje në vargjet e Naim Frashërit).
Si djemtë e Zvicrrës u sollën edhe djemtë e Shqipërisë, Kukeli, Abrashi, Lenjani e plot të tjerë që mbetën kuq e zi. Thua edhe këta e tradhëtuan Kosovën? Po të hënën, kur të vijnë në Shkodër Plisat e Prishtinës edhe ata do i quajmë të shitur?
I gjithë ky ajër i bërë ding me ndjenja kaq të mbrapshta ka shkaktuar inat të madh edhe tek Bekim Haxhiu, nënkryetari i Federatës së Kosovës, i cili nuk la gjë pa thënë për Ragip Xhakën, babën e Granitit. Zyrtari nga Prishtina, madje doli në përfundimin se shqiptarët e Zvicrrës nuk duan. Për pak sa nuk i shpalli tradhëtarë. Marrì e madhe e kjo.
Futbolli si çdo sport popullor është prej kohësh sipërmarrje dhe ndërmjetësit (menaxherët), sponsorët kanë një rol të dorës së parë. Shqiptarët e Zvicrrës nuk janë më pak patriotë nëse nuk luajnë për Shqipërinë e Kosovën, sepse në fund të ditës edhe Shaqiri, edhe Haxhiu, edhe Ragipi bëjnë hesapet e çatisë së tyre. Aty ku ke pranuar të futet parja, vështirë e ke të presësh triumfin e idealizmës.
Pos kësaj, as Kosova e as Shqipëria nuk kanë ndonjë meritë që këta lojtarë u formuan. Zvicrra ka dhënë për ta shumë më tepër se vendlindja e tyre. Atje ata mundën të çajnë, të bëjnë karrierë, të fitojnë para, ndaj sot do të ishte një farë pabesie për shtetin a kombin që të formoi, qoftë edhe si futbollist. Nëse ata nuk do kishin bërë asnjë ndeshje me Zvicrrën, ndoshta edhe mëria e Bekim Haxhiut mund të gjente një farë shpjegimi, por derisa atje kanë zhvilluar prej shumë vitesh këtë aktivitet, djemtë duhen kuptuar.
Mesazhet, bisedat private dhe dëshirat personale në këtë rast janë krejt tjetër gjë. Askush nuk ka pse ta fshehë që mund t’i pëlqejë të luajë për Kosovën, por janë një sërë faktorësh që e bëjnë këtë të pamundur, ndaj në këtë rast futbollistët nuk kanë përse të fshihen pas lejeve të munguara nga FIFA, sepse në të vërtetë janë lejet e munguara nga sipërmarrja që ata përfaqësojnë. Bekim Haxhiu gabon fort, kur mendon se Shaqiri është figurë që prodhon atdhetari nëpërmjet sportit. Shaqiri është figurë që prodhon para nëpërmjet marketingut, ndaj duhet mirëkuptuar me kaq.
Po kështu, Berisha i Norvegjisë, Hetemaj i Finlandës e kështu me rradhë. Nuk kishte shumë arsye të idhnoheshe me Januzajn që hodhi poshtë ftesën e De Biazit, nuk ke pse idhnohesh, kur refuzojnë ftesën e Bunjakit. Nuk të ndihmon në këtë fushë as Ali Podrimja, as Naim Frashëri, as Halil Matoshi me dasht’. Kjo, sepse kapitalizmi patriotin, renegatin, tradhëtarin apo patetikun i vesh me të njëjtën fanellë, atë të marketingut.
Ndaj, shqiptarët e Zvicrrës duhen lënë të qetë. Ata mund t’i vlerësojmë si atdhetarë në ditë të tjera. Fjala vjen, çfarë mendojnë për demarkacionin me Malin e Zi dhe jo për skemat taktike të Bunjakit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img