Site icon PrishtinaPress

Paratë e Trustit në rrezik, Qeveria e quan propagandë alarmin e opozitës?

Mjetet e Trustit janë në rrezik”, po e tërheq vërejtjen vazhdimisht ish-Kryeministri dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti që tash flet në cilësinë e deputetit opozitar.

Prej këtij këndi, Hoti të premten në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka adresuar kritika në drejtim të ministrit të Financave, Punës dhe Trasnfeve, Hekuran Muratit.

“2 miliardë euro nuk i keni në menaxhim ministër”, ishte fjala e Hotit drejtuar Muratit referuar mungesës së Bordit të Trustit Pensional.

Që nga 28 shkurti, në Trust s’ka bord, por opozita thotë se “ka rrezik që mjetet e investuara në tregje ndërkombëtare të referohen”.

Konkursi për anëtarët e rinj të bordit ishte mbyllur më 23 dhjetor të vitit të kaluar, por deri më tash nuk ka shqyrtim të kandidatëve.

E për deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hotin kjo është një “papërgjegjësi institucionale dhe njerëzore e ministrit”.

“Mos u zgërdhij kur të flasë, le të jemi seriozë. 2.5 miliardë euro nuk kanë menaxhim. Të lutem të diskutojmë me seriozitet, mos u zgërdhini gjatë diskutimit. Unë nuk të respektoj fare, por jeni ministër dhe duhet të raportoni. Unë të kam thirrur në përgjegjësi institucionale”, ka thënë Hoti gjatë përplasjes me Muratin në komision.

Por Murati thotë se është serioz dhe pretendimet e deputetit opozitar i cilëson si propagandë.

“Janë bërë disa deklarata se Trusti po humb, ngase ministri i Financave apo Auditorja nuk po mund ta krijojnë bordin. Është totalisht e papranueshme kjo propagandë që është bërë”, u përgjigj Murati.

Edhe PDK-ja gishtin kah Qeveria për Trustin

Arben Mustafa, “ministër” në hije i Financave nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), beson se papërgjegjësia e institucioneve po ndikon që Trusti të ketë humbur 160 milionë euro.

“Që nga fillimi i vitit 2022 e deri më tani, vlerësohet se kursimet pensionale të qytetarëve të Kosovës të investuara nga Trusti kanë shënuar një humbje prej rreth 160 milionë euro. Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në tregjet financiare, sidomos pas dështimit të disa bankave në SHBA, shqetësimet për sigurinë e kursimeve pensionale të qytetarëve të Kosovës të cilat janë të investuara në tregjet ndërkombëtare bëhen edhe më të mëdha. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve janë të investuara në tregjet e aksioneve të cilat kanë një ndjeshmëri shumë të lartë ndaj zhvillimeve në tregjet financiare dhe përgjithësisht në ekonomi”, ka deklaruar ai.

Në krejt këtë situatë siç thotë ai institucioni i Trustit nuk ka bord, këtë e cilëson rrezik serioz në humbjet e mëtëjme të mjeteve të Trustit, meqë çrregullimet në tregjet ndëkombëtare po vazhdojnë.

Në këtë situatë shumë shqetësuese për sigurinë e kursimeve pensionale të qytetarëve të Kosovës, Trusti nuk ka Bord Drejtues, që do të thotë se sot askush nuk mund të marrë vendime që kanë të bëjnë me investimet e kursimeve pensionale të qytetarëve të Kosovës. Pra, nëse vërehet se mjetet e investuara në një instrument financiar po shkojnë drejtë humbjes, sot Trusti nuk mund të marrë asnjë vendim për zhvendosjen e atyre mjeteve drejtë instrumenteve më të sigurta, po i mbetet vetëm ta vëzhgojë situatën në rolin e spektatorit se çka po ndodhë me rreth 2.4 miliardë euro të qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Sipas shpjegimeve të tij mungesa e bordit po pamundëson investimin e mjeteve të tjera me qëllim të mbulimeve të humbjeve që janë shkaktuar prej vitit 2022 e këndej.

“Për më tepër, mungesa e Bordit Drejtues të Trustit nënkupton se kontributet e reja pensionale të arkëtuara nga Trusti do të qëndrojnë të pa investuara dhe rrjedhimisht kontributdhënësve i mohohet fitimi i mundshëm nga investimi i atyre mjeteve”, ka thënë ai. “Pra, në kohën kur normat e kthimit në obligacionet e qeverive të ndryshme dhe normat e interesit në depozita bankare po shënojnë rritje, në vend se të investohet kontributet e reja në këto instrumente dhe të sigurojnë rritje të vlerës së kontributeve pensionale, sot këto kontribute duhet të qëndrojnë të pa investuara në llogarinë bankare të Trustit”.

“Situata e krijuar paraqet një dëm financiar që qytetarët e Kosovës po detyrohen ta bartin për shkak të papërgjegjësisë totale të institucioneve të Kosovës që nuk kanë arritur ti zgjedhin anëtarët e rinj të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës. Përkundër se kanë kaluar muaj prej kur është hapur konkursi për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit, paneli përzgjedhës ku bënë pjesë edhe Ministri i Financave ende nuk i ka ftuar kandidatët as për intervistim. Sot, qytetarët e Kosovës po ballafaqohen me humbje të kursimeve të tyre pensionale, përderisa ende nuk ka asnjë sqarim për publikun nga Ministri i Financave se pse ka dështuar përzgjedhja e anëtarëve të Bordit në kohën e paraparë me Ligj”, ka thënë ai.

Tregjet “në zjarr”

Falimentimi i Bankës amerikane Silicon Valley, ka ngritur alarmin për zgjerimin e krizave financiare përtej oqeanit.

E themeluar në vitin 1983, Banka Silicon Valley ofroi financime për pothuajse gjysmën e kompanive të teknologjisë dhe kujdesit shëndetësor të mbështetur nga sipërmarrjet amerikane – ato janë dëmtuar nga normat e larta të interesit dhe pakësimi i kapitalit sipërmarrës.

Por çrregullimet e tregjeve ndëkombëtare janë të theksuara edhe para kolapsimit të një prej bankave më të mëdha amerikane.

Kufizimet e imponuara prej situatës me pandeminë COVID-19 e deri te lufta ruse në Ukrainë, ishin disa prej faktorëe që tregjet po i vendosin para sfidave edhe më të mëdha./PrishtinaPress/

Exit mobile version