0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

“Paratë e qytetarëve në Trust po humbin”

Ka përfunduar mandati i të gjithë anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës me përfundimin e muajit shkurt.

Në mungesë të Bordit, partitë opozitare kanë vlerësuar se kursimet e kontribuuesve kosovarë janë të rrezikuara.

Një gjë të tillë e kanë konfirmuar edhe nga Trusti Pensional.

Gjatë ditës së djeshme Jeton Demi, zëdhënësi i këtij institucioni, ka thënë se nuk mund të thonë që mjetet e FKPK-së si tërësi janë të rrezikuara, por gjithsesi institucioni është në gjendje të vështirë pa organin kryesor.

E, sipas ish-ministrit të Financave, Haki Shatrit, Qeveria nuk po dëshiron ta zgjedh bordin e Trustit.

Shatri thotë se Kurti do t’i zgjedh anëtarët e bordit të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Institucionet tona nuk janë duke punuar për Trustin edhe pse munden ta bëjnë, mund ta formojnë bordin e Trustit por këtë gjë nuk po donë ta bëjnë se strukturat e Trustit nuk mund të bëjnë asgjë pa bord. Më duket se kryeministri ka qenë nxënë dhe nuk ka pasur kohë të merret me borde. Do t’i gjejë Kurti anëtarët e partisë të vetë për t’i intervistuar”, theksoi Shatri

Ish-ministri Shatri thotë se kur Trusti Pensional është ‘pa zot shpie’, parat e qytetarëve janë në rrezik.

“Paratë e qytetarëve janë duke u rrezikuar dhe po humbin dita ditës pasi Trusti nuk ka bord. Të gjitha raportet po tregojnë se ka pasur humbje. Kur Trusti është pa zot shpie krejt paret do të rrezikohen”, u shpreh Shatri.

Edhe nga Partia Demokratike e Kosovës kanë shpresuar pakënaqësi në lidhje me mos emërimin e bordit të Trustit.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala njëherësh edhe deputet i PDK-së ka folur lidhur me këtë çështje.

Shala thotë se krejt kjo situatë e Trustit Pensional është shqetësuese.

Ai ka hedhur akuza ndaj Qeverisë Kurti.

“Situata e Trustit është shumë shqetësuese për faktin se mbi 2.5 milionë euro janë pa menaxhim dhe pa llogaridhënie. Ka një rënie të dukshme të mjeteve nga Trusti, dhe askush nga institucionet e shtetit nuk e ka ndërmend të marr ndonjë veprim të reagojë. Të gjitha këto probleme me Trustin Pensional rezultat i politikave të këqija të kësaj Qeveria. Kjo situatë do të na përcjell gjatë me humbje të mëdha të fondit pensional”, deklaroi Shala

Deputeti i PDK-së tha se urgjent duhet të zgjidhet bordi i këtij institucioni.

“Qeveria Kurti urgjent duhet ta zgjedhë bordin e Trustit Pensional i cili bënë një analizë të shpejtë dhe të menaxhoj sa më mirë fondet aty. E dimë që nuk do të vendoset shpejtë ky bord pasi nga Qeveria nuk ka asnjë reagim për ta parandaluar këtë humbje të parave të qytetarëve”, thotë Shala.

Mandati i anëtarëve të Bordit të Trustit Pensional ka mbaruar më 30.11.2022, por ishte zgjatur edhe për tre muaj.

Konkursi ishte shpallur para tre muajve më 02.12.2022, por deri më tani asnjë veprim nuk është ndërmarrë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img