Koordinatori dhe Parashikuesi i Motit, Besim Aliu, bën të ditur se temperaturat e larta do të vazhdojnë edhe për disa ditë dhe se kjo situatë u krijua si rezultat i masave të nxehta të ajrit me origjinë nga jugu.
Ai tutje shton se duhet të kihet kujdes nga rrezet direkte të diellit, sidomos nga intervali kohor 10-17 h, sepse indeksi UV ka shënuar vlera të larta.
“Përdorni sa më shumë ujë të freskët, jo lëngje të gazuara. Mbani kapelë, syze për t’u mbrojtur nga dielli, rroba me ngjyra të lehta nga pambuku ose liri”.
“Të mos konsumojmë ushqime të fërguara, me shumë yndyrë dhe ushqime të shpejta, por sa më shumë ujë të thjeshtë, pemë dhe perime. Jemi në dritën e verdhë sa i përket këtyre vlerave të larta të temperaturave, mirëpo në ditët vijuese kjo situatë meteorologjike mund të krijojë kushte edhe për alarm të kuq, sepse temperatura e ajrit kur kalon më e lartë se temperatura e trupit të njeriut {37C}, atëherë mund të shkaktojë probleme serioze në organizmin tonë”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
Tutje bëhet apel që sipas mundësive, të frekuentohen vendet me lartësi, pyjet, kodrinat, pra aty ku kemi më shumë qarkullim të ajrit të freskët.