Më 11 nëntor 2020 në orën 11:00, do të mbahet paraqitja e parë e Rexhep Selimit në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.
Aktakuza kundër Rexhep Selimit u konfirmua më 26 tetor 2020.
Selimi u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor 2020 dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në të njëjtën ditë.
“Aktakuza e ngarkon Rexhep Selimin me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Aktakuza e redaktuar publike mund të lexohet KËTU.
Tutje në njoftim thuhet se”Paraqitja e parë e Rexhep Selimit do të mbahet në seancë publike”.
“Gjatë paraqitjes së parë, gjykatësi i procedurës paraprake siguron që të respektohen të drejtat e të akuzuarit, ndër të cilat e drejta për përfaqësim ligjor dhe që i akuzuari të kuptojë akuzat kundër tij”, vijon njoftimi.
Paraqitja e parë mund të përcillet përmes transmetimit në Internet me një vonesë të shkurtër në https://www.scp-ks.org/sq/transmetim.
Gjithashtu, seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit në ndërtesën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
“Po ashtu, DHSK-ja ka edhe një qendër të posaçme për median në ndërtesën e vet në të cilën gazetarët mund të punojnë dhe të përcjellin seancat me një vonesë të shkurtër. Për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19, numri i ulëseve në galerinë publike dhe në qendrën për media është shumë i kufizuar dhe nevojitet regjistrim paraprak.