Nga Dogana e Kosovës njoftojnë se gjatë një kontrolli rutinë, zyrtarët e saj në bashkëpunim me Policinë e Kosovës parandaluan tentim kontrabandimin e mallrave përmes autobusit në pikëkalimin kufitar të Jarinjës.
Bëhet e ditur se në momentin e hyrjes së një autobusi të linjës Serbi-Kosovë, i cili kishte si destinacion Kosovën, u zbuluan mallra të fshehura e të padeklaruara në një nga hapësirat e tij, që përfshinin: produkte ushqimore, mbathje sportive, si dhe produkte tjera tekstili.
“Vlera totale e mallit që ka tentuar të futet në mënyrë të paligjshme në territorin e Kosovës është 4,793.48€. Autobusi është dërguar në terminalin doganor të Mitrovicës nën mbikëqyrjen e stafit doganor dhe policor për një kontroll të hollësishëm”.
“Mallrat e pa deklaruara janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës, ndërsa rasti po trajtohet nga njësitë relevante të Doganës së Kosovës”, thuhet në kumtesën për media të Doganës së Kosovës.