Site icon PrishtinaPress

​Paralajmërohet vizita e Bill Clinton në Tiranë

Në një deklaratë televizive të pak ditëve më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama foli për një dhuratë që priste nga SHBA më 4 korrik, që përkon me ditëlindjen e tij dhe me pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Deklarata ngriti hamendësime se dhurata mund të ishte liberalizimi i vizave për shqiptarët me SHBA, apo ndonjë marrëveshje ekonomike e financiare. Por, kur u pyet nga gazetarët në konferencën e fundit për shtyp në lidhje me këtë, Rama nuk dha detaje, por tha se dhurata që shpresonte mund të mos i kënaqë që të gjithë.

“Mos i ekzagjeroni batutat. Mendoj do jetë një dhuratë e bukur, por meqë ju i lidhni të gjithë gjërat me lekë, nuk janë lekë, të jemi të qartë se gjithmonë thoni ‘Sa kushton’”, tha Rama.

Top News mëson ekskluzivisht se dhurata që pret kryeministri është një vizitë e ish-presidentit të SHBA, Bill Clinton pikërisht më 4 korrik.

Vizita e një ish-presidenti amerikan në Shqipëri dhe Kosovë merr gjithmonë rëndësi, kur dihet fuqia e tyre lobuese në Uashington. Por, vizita e Bill Clinton, njeriu që udhëhoqi fushatën bombarduese kundër Serbisë dhe deri në çlirimin e Kosovës merr një tjetër rëndësi në këto kohë tensionesh në veri.

Vizita mund të konsiderohet si një mbështetje e qëndrimit të Shqipërisë dhe sidomos të qëndrimit personal të Edi Ramës për situatën aktuale në Kosovë, ku kryeministri ka qortuar qëndrimet kokëforta të Albin Kurtit kundër thirrjeve të ndërkombëtarëve për të çtensionuar situatën në veri të vendit.

Megjithatë, vizita e Clinton në Tiranë raportohet se lidhet edhe me refugjatët afganë që kanë ngecur në Shqipëri prej gati dy vitesh tashmë.

Strehimi i gati 3 mijë prej tyre në Shqipëri u ndërmjetësua nga Hillary Clinton, bashkëshortja e Bill Clinton. Afganët duhet të qëndronin përkohësisht deri në përfundimin e procedurave të vizave për në SHBA. Por, për shumë prej tyre këto procedura nuk kanë përfunduar ende.

 

Exit mobile version