Site icon PrishtinaPress

Paralajmërohet “verë e thatë” energjetike

Një varg punimesh parashihen që të bëhen në dy njësitë e termocentralit “Kosova B” gjatë këtij viti. Kjo do të ndikojë që mungesa e energjisë të plotësohet nga importi me një çmim më të shtrenjtë se sa KEDS-i aktualisht furnizohet nga KEK-u. Situata e tillë pritet të jetë rreth 6 muaj sa pritet të zgjasin remontet në këto blloqe.

Ani se me rritjen e temperaturave ka rënie të konsumit të energjisë elektrike, KEDS-i është duke importuar rreth 4 mijë megavat energji në ditë për t’i mbuluar nevojat e konsumatorëve.

Mungesa e prodhimit vendor ka ndikuar që të rritet importi i energjisë.

Kjo situatë do të zgjasë së paku gjashtë muaj, pasi që një varg punimesh janë planifikuar që të ndodhin në dy njësitë e termocentralit “Kosova B”.

“Termocentrali TC-B gjatë vitit 2023 do të ketë dy remonte kapitale të njësive B-1 dhe B-2, secila me kohëzgjatje-3 mujore. Sipas planifikimit, remonti kapital i njësisë B-2 ka filluar me 16.04.2023 dhe pritet të përfundojë pas 3 muajve kur edhe planifikohet të fillojë remonti kapital i njësisë B-1”, thuhet në një përgjigje të Korporatës Energjetike e Kosovës.

Përveç remonteve kapitale në këto njësi janë të parapara që të zbatohen një sërë projektesh, të cilat kanë për qëllim rritjen e kapacitetit të prodhimit dhe sigurisë së operimit të njësive.

Në të dy blloqet për kohë të gjatë do të ketë edhe riparime të kaldajës, të cilat janë parakusht për fillimin e projektit për vendosjen e elektrofiltrave dhe DeNox, projekt ky i financuar nga Bashkimi Evropian, e që do të realizohet gjatë vitit 2024.

Projektet që KEK-u ka planifikuar t’i realizojë janë: Projekti i dilatimeve të kaldajës në njësitë B-1&B-2; Projekti i pllakave rrëshqitëse te PF kanalet e kokave të brenerave të thëngjillit në njësitë B-1&B-2 i lidhur drejtpërdrejt me projektin e dilatimeve të kaldajës; Projekti i shqyrtimit të gypave integralë në njësitë B-1&B-2; Projekti për ndërrimin e disa gypave në kondensator në njësitë B-1&B-2; Projekti për riparimin e valvave në sallën e makinave dhe valvën jokthyes të pompave qarkulluese në kaldajë në njësitë B-1&B-2; Projekti për pastrimin e gypave brenda në kaldajë në njësitë B1&B2; Projekti për intervenimin në Trafon 2BT tek njësia B2; Projekti për ndërrimin e pllakës në turbinë e presionit të ulët te njësia B2; Ndërrimi i AKU-baterive në njësitë B-1&B-2; si dhe Ndërrimi i zbarrave të gjeneratorit tek njësia B1.

Në KEK nuk kanë bërë të ditur se sa është kostoja e paraparë e të gjitha projekteve që do të realizohen në këto njësi.

Ndërsa në KEDS kanë thënë për KOHËN se konsumi mesatar nga 1 deri më 5 maj ishte rreth 14 mijë megavat në ditë.

“Sasia e marrë nga KEK-u për periudhën e njëjtë është 11 mijë e 130 megavat në ditë. Duke marrë parasysh se edhe temperaturat gjatë këtyre ditëve janë rritur, rrjedhimisht ka pasur edhe ulje të konsumit. Meqenëse prodhimi vendor aktualisht nuk e mbulon të gjithë nevojën për konsum, për periudhën e lartcekur janë importuar gjithsej 4 mijë e 76 megavat”, thuhet në përgjigje.

Aktualisht një megavat i energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare kushton nga 100 deri në 200 euro. Situatë e njëjtë parashihet të jetë gjatë gjithë vitit.
Ndërsa KEDS-i furnizohet nga KEK-u me një çmim prej 29 eurosh për megavat.

Kjo pritet të ndikojë në rritjen e kostos së energjisë, gjë që nuk e përjashton mundësinë për një rritje të çmimit për konsumatorët pas asaj prej 15 për qind në fillim të prillit.

 

Exit mobile version