Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës ka njoftuar se pas reshjeve të borës, të përcjella me erëra të forta, ka rrezik potencial të ortekëve në disa pjesë në zonat malore të vendit.
në njoftim bëhet e ditur se rreziku kryesor është në zonat mbipyjore, por ekziston rreziku edhe në zonat pyjore dhe ndërpyjore.
“Kujdes Ortek! Pas reshjeve të fundit të borës të përcjellura me erëra të forta, disa pjesë në zonat malore të rajonit tonë kanë rrezik potencial për lëshimin e orteqeve. Sidomos faqet e drejtimeve gjeografike: perëndim, veri perëndim dhe disa drejtime të tjera që kanë qenë nën ndikimim e faktorëve të lartpërmendur”, thuhet në njoftim.
Tutje ShKShM-ja bën thirrje për evitimin e aktiviteteve në pjerrtësitë 30-40 shkallë, të mos skijohet jashtë pistave të skijimit dhe të përdoren pajisje të sigurisë për ortek.
“Rreziku kryesor është në zonat mbi pyjore, por ekziston edhe rreziku në zonat pyjore dhe ndërpyjore. Mos skijoni jasht shtigjeve të skijimit! Bjeshkatarë evitoni aktivitetet e juaja në pjerrësitë 30~45°. Zhvilloni aktivitetet e juaja në vende të sigurta dhe jo të ekspozuara. Përdorimi i pajisjeve të sigurise për ortek është i domosdoshëm! Për çdo urgjencë kontaktoni në numrat: 112, +38349840228”, bën të ditur njoftimi.