Djegia e veturës së Drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të SHSKUK-së, Musa Vitija, bëri që kryeministri Kurti të vizitojë me mëngjes SHSKUK-në, nga ku doli me konstatim se dy kompani kanë dështuar ta kryejnë punën e tyre. Njëra prej kompanive është edhe “Quantic”.
Nga kjo kompani kanë paralajmëruar padi ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit sepse sipas tyre ai ka shpifur.
“Ne si kompani “Quantic” jemi fitues të kontratës për mirëmbajtjen e laurave dhe vijueshmërisë në punë , dhe nuk kemi kontratë për mirëmbajtje të kamerave apo vendosje të tyre. Në pikat dalëse të laurave janë 6 kamera që janë vendosur nga kompania e kaluar që janë përdorur për nevoja të kompanisë për t’i kontrolluar terminalet se a janë në funksion dhe assesi për vëzhgim , pozicioni tyre është në drejtim të terminaleve”, thuhet në reagim.
Kurti ka thënë se dy kompanitë, “Security Code”, përgjegjëse për sigurimin fizik dhe “Quantic”, përgjegjëse për mbikëqyrjen e kamerave kanë dështuar në kryerjen e punës së tyre.
“E para, sepse për herë të dytë nuk ka arritur të ofroj sigurinë e veturës së z. Vitija, kurse tjetra edhe pas dy jave nuk ka arritur t’i rikthej në funksion kamerat e sigurisë të cilat janë të dëmtuara nga “vetëtima”, shkroi Kurti në llogarinë e tij në Facebook.