Asamblistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës, kanë shpërndarë fotografi me Lumir Abixhikun, i cili është ndër emrat kryesor të përmendur për kandidat për të marrë mandatin e të parit të kryeqytetit.
Në fotot e asamblistëve të LDK’së, ka edhe mbishkrime të cilat lënë të kuptohet se Lumir Abdixhiku mund të jetë kandidati i LDK’së për kryetar të Prishtinës.
“S’keni parë gjë akoma! Do të rikthehemi edhe më fuqishëm!”, ka shkruar Ema Nikçi-Rexha, asambliste e LDK’së në Prishtinë, ku ka shpërndarë një foto nga Lumir Abdixhiku të nëntorit të vitit të kaluar në të cilën shkruan “Rikthimi i madh i Lidhjes”.
“Mbi Prishtinën është vetëm qielli”, ka shkruar asamblistja tjetër e LDK’së, Jeta Rafuna, në fotografinë që ka shpërndarë ku shihet bashkë me Lumir Abdixhikun.
Abdixhiku pas zgjedhjeve parlamentare kishte falënderuar votuesit e tij, e veçanërisht ata të Prishtinës.
“Tash që u shpallën rezultatet përfundimtare, më duhet t’i falenderojë nga zemra plot 29,565 votuesit e mi. Është hera e dytë që marr një mbështetje të tillë. Kështu, kaq shumë, përveç nderit më jepni dhe përgjegjësi. Në veçanti, por jo për dallim, më duhet t’i falënderojë plot 10,168 votuesit e mi në Prishtinë. Më bëtë ndër më të votuarit në kryeqytet, në qytetin tim. Dhe me këtë, më shumë se kurrë, ma bëtë të qartë drejtimin e angazhimit tim politik”, kishte shkruar Abdixhiku.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk e ka bërë publik emrin se kë do ta kandidojë për Prishtinën.
Derisa Ismet Beqiri ka thënë se nëse ia kërkon partia, është i gatshëm të kandidojë sërish për të parin e Prishtinës.