Kryeshefi i Ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking”, Sokol Havolli, ka paralajmëruar se mund të ketë ndryshime në çmimore me draft-rregulloren e re. Kjo draft-rregullore është në diskutim publik e më pas pritet të votohet në Kuvendin Komunal.
Havolli ka thënë se lirim mund të kenë vetëm në Zonën 2 për banorët rezidentë. Aktualisht për orë në këtë parking paguhet 50 centë, ndërsa mujorja është 7 euro. Në Zonën 1, parkingu për një muaj kushton 10 euro, ndërsa për Zonën 3 pesë euro.
Havolli ka deklaruar se do të zgjatet edhe orari i punës.
“Në rregulloren ekzistuese e kemi bërë identifikim e një varg problemesh që i ka pasur ndërmarrja gjatë operimit, sidomos te banorët rezidentë. Ndërmarrja, sipas rregullores së vjetër dhe sipas çmimores ka të drejtë të operojë deri në ora 19:00, ndërsa banorëve rezidentë iu duhet ajo koha të shfrytëzojnë parkingjet pasi janë në banesat e tyre. Me draft-rregulloren e re, parashohim të zgjatet orari i punës, ndërsa kontrollet do të intensifikohen në zonat rezidenciale. Zonat rezidenciale të jenë të dizajnuara vetëm deri në ora 16:00 për vizitorët”, ka thënë Havolli.
Ai ka deklaruar muajt e fundit e kanë reduktuar edhe numrin e gjobave, derisa ka treguar se mesatarisht janë 130 gjoba në ditë që shpërndahen nga punëtorët e “Prishtina Parkingut”.
“Për pjesën e pagesave, jemi duke bërë analiza të brendshme se si mund të bëhet më lehtë. Me draft-rregulloren e ri, çmimi nuk shtrenjtohet askund. Jemi duke diskutuar që në zonë 2 të ketë lirim për banorët rezidentë. Kjo është pjesë e diskutimit që jemi duke e mbajtur”, ka shtuar ai.
Havolli ka theksuar se janë duke punuar të gjejnë zgjidhje edhe për vizitorët, por ka potencuar se prioritet mbesin banorët rezidentë./PrishtinaPress/