Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka paralajmëruar mundësinë e prishjes së koalicionit nëse kërkesat e AAK-në nuk merren parasysh.
Haradinaj në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se AAK nuk do të vazhdojë të ankohet për një kohë të gjatë për shumë tema përfshirë edhe dialogun.
“Nuk besoj se AAK do të ketë një “status quo” të vetën që vetëm të ankohet për tema. Ose do të ketë qasjen e saj për dialogun ose do të merr një vendim. Nuk dua të kërcënoj, por të premten Hoti dhe Mustafa e kanë parë që ministrat tanë i kanë pasur dorëheqjet të gatshme …Kryeministrit Hoti nuk i jam përzier në tema të brendshme, por tema e dialogut nuk është vetëm e kryeministrit ajo do të duhej të ishte e gjithë vendit. Kryeministri është dashur ta përfaqësoj gjithë vendin por ai nuk po më përfaqëson as mua. Për besë nuk shkon kështu”, tha ai.
I pari i AAK-së ka thënë se do të mbahet një tjetër takim mes liderëve të koalicionit ku sipas tij do të jetë edhe kryeministri Hoti e që sipas tij do të diskutohet për problemet e koalicionit.
Ai ka paralajmëruar edhe takim me kryesinë e partisë së tij për këto çështje.
Duke folur për njohjen e Izraelit, Haradinaj ka thënë se Kosova ka një politikë të jashtme dhe sipas tij ajo është e rreshtuar në krahë të Amerikës.
“Turqia e as vendet arabe nuk do të na marrin për të madhe. Ata e kanë për detyrë të reagojnë por e dinë që politika jonë nuk është e ndarë nga ajo e Amerikës”, tha ndër të tjera Ramush Haradinaj.