Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përsëriti të enjten akuzat se Serbia dhe Rusia po vazhdojnë të tentojnë që të destabilizojnë Kosovën, teksa fliste për situatën në vend dhe rajon.
Këtë deklaratë, Osmani e bëri pasi mori pjesë në Samitin e katërt të Bashkësisë Politike Evropiane të mbajtur në Pallatin Blenheim, në Mbretërinë e Bashkuar.
Osmani, por edhe krerët e tjerë të institucioneve të Kosovës, kohëve të fundit kanë intensifikuar paralajmërimet e tyre se Rusia, përmes Serbisë, po synon të destabilizojë Kosovën.
“Kemi qenë në tryezën, me shumë liderë të tjerë, ku është diskutuar për mbrojtjen e demokracisë dhe luftimin e dezinformatave. Edhe pse shteti ynë nuk ka lejuar asnjëherë influencë ruse apo të forcave të tjera malinje, megjithatë përderisa shteti fqinj, Serbia, përdoret si satelit i Rusisë dhe përderisa edhe vetë fatkeqësisht i takon mentalitetit të shekullit të kaluar, ata do të vazhdojnë të tentojnë ta destabilizojnë jo vetëm shtetin tonë, por edhe gjithë rajonin dhe nëpërmjet kësaj gjithë kontinentin evropian”, tha Osmani.
Edhe kryeparlamentari, Gluak Konjufca para një jave deklaroi se Serbia mund të përsërisë skenarin e Banjskës edhe me përmasa më të mëdha.
Kështu deklaroi Konjufca në një konferencë pas takimit me presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer.
Ai përmendi rrezikun që i kanoset Kosovës për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë.
“Kemi folur edhe për sigurinë në Kosovë dhe rreziqet që po përballemi për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë. Nëse Serbia lihet e pa ndëshkuar lidhur me agresionin terrorist në Banjskë që u krye në shtator të vitit të kaluar, Serbia ka për ta përsëritur këtë skenar por me përmasa më të mëdha”, tha Konjufca.
Konjufca u shpreh se derisa Serbia vazhdon të jetë aleate e Rusisë ajo duhet të shihet si rrezik për tërë Ballkanin.