0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Paralajmërimi i ashpër për Ramush Haradinajn. A e ka seriozisht Behgjet Pacolli?

Koalicioni PAN mezi e kishin bërë pjesë të Qeverisë, Behgjet Pacollin, duke e larguar nga marrëveshja me LDK-në. Pacolli kishte dalë përfitues i madh duke ua marrë partnerëve postin e zv.kryeministrit dhe katër ministri në këmbim të tri votave. Por, pas katër muajve bashkëqeverisjeje, Pacolli nuk duket i kënaqur me partnerët e tij, veçmas me kryeministrin Ramush Haradinaj. Kreu i AKR-së ka goditur kryeministrin aty ku i dhemb më së shumti, duke thënë se Qeveria e tij ka humbur dinamikën duke dështuar të adresojë çështjet kryesore me të cilat përballet vendi.
Numri dy i Qeverisë, Behgjet Pacolli, nuk ngjante se është pjesë e Qeverisë, mbrëmë kur adresonte kritika, jo të pakta ndaj Qeverisë “Haradinaj”.

Në një intervistë për emisionin “Rubikon”, Pacolli goditi atë që Haradinaj e konsideron pikën më të fortë të qeverisjes – dinamikën në punë.

Zv.kryeministri tha se kësaj Qeverie i ka rënë dinamika, dhe ka ngecur në problemet si liberalizimi i vizave, që veçse kanë qenë në derë të Qeverisë dhe kjo është ditur.

“Ka ra dinamika e Qeverisë dhe kjo ka ndikuar edhe te qytetarët e Kosovës, te cilët kanë menduar se me këtë qeveri do të ndodhin mrekullitë. Hasëm në problemin e parë, liberalizimin e vizave, proces i cili padrejtësisht është kushtëzuar nga BE-ja me kushtin e demarkacionit”, ka thënë ai.

Pacolli, po ashtu, ka folur për Demarkacionin, pikën kryesore ku ndahen partnerët qeveritarë sa i përket qëndrimeve. Ndryshe, nga Ramush Haradinaj, Pacolli është pro ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Zv.kryeministri thotë se nuk e di se ku është kufiri me Malin e Zi, por është i vetëdijshëm sa i rëndësishëm është kushti që Bashkimi Evropian i ka vënë Kosovës për ratifikimin e tij.

“Nuk e di ku është kufiri, nuk e di cila është e drejta, a është aty ku është vendosur sipas njërit komision apo diku tjetër. Kosova ka një përgjegjësi ndaj BE dhe shtetit me të cilin kemi një marrëveshje të cilën duhet ratifikuar”, ka thënë ai.

Edhe pjesa e cila e kundërshton këtë Marrëveshje, Pacolli beson se di të reflektojë karshi kësaj situate sepse, sipas tij, kanë mbetur edhe 10 ose 15 ditë si afat i fundit për ratifikimin e Demarkacionit, në mënyrë që Kosova ta zërë hapin për mundësinë e liberalizimit të vizave.

“Nëse nuk ndodh 10-15 ditët e ardhshme atëherë kam frikë se e kemi humbur hapin dhe nuk do të kemi liberalizim këtë vit. Kjo po më dhemb shpirtërisht. Vendi jonë është i vetmi që ka mbet si vrimë e zezë dhe të rinjtë tonë nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit”, është shprehur Pacolli.

Ky afat duket të jetë edhe një ultimatum i Pacollit për të qëndruar ose jo në Qeveri. Ai tha se “kësaj qeverie i humb kuptimi nëse brenda këtyre ditëve nuk ratifikohet demarkacioni”.

Pika tjetër konfrontuese mes kryeministrit dhe zëvendësit të tij është edhe iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, që sipas Pacollit, është tejet e tmerrshme dhe e rrezikshme.

“Nuk do ta ketë mbështetjen e AKR-së”, ka thënë ai, kur është pyetur se si do të votojë partia e tij kur iniciativa të shkojë në Kuvend.

Pacolli, po ashtu, është edhe kundër rritjes së pagave, në fakt dyfishimit të tyre nga kryeministri për veten edhe vartësit e tij.

Zv.kryeministri ka thënë se po të merrte pjesë në mbledhjen e Qeverisë ku është vendosur ngritja e pagave, do ta kishte kundërshtuar atë propozim.

Derisa ka thënë se pagën e tij e jep si donacion, Pacolli ka theksuar se “as Haradinaj s’i ka punët aq keq” sa për ta rritur pagën nga 1 mijë e 500 euro në 2950 euro.

Pacolli thotë se “i kanë ikur” disa vendime të Qeverisë sepse ai është fokusuar në diplomaci. Dhe thotë se kjo kishte qenë edhe Marrëveshja mes tij e Haradinajt, kur Pacolli ishte emëruar në postin e ministrit të Jashtëm.

“Unë i kryej punët këtu, ti ato jashtë”, thotë Pacolli teksa shpalos atë që e kishte diskutuar me Haradinajn kur ishin pajtuar për koalicionin.

Ministri i Jashtëm ka treguar edhe se Kosovës i është kthyer një njohje nga Guinea-Bissau, ndërsa ai ka thënë se po punon edhe për rikthimin e njohjes së Surinamit, për të cilin vetë Pacolli mohonte se shteti amerikano-jugor kishte kthyer mbrapsht njohjen.

Ndërsa ai foli edhe për njohjen e Serbisë, e cila, sipas tij, nuk do të lutet, por do të detyrohet ta njohë Kosovën.

“Unë nuk mund t’i ndali proceset edhe me prit derisa Serbia ta njeh Kosovën, unë duhet të eci përpara në rrugëtimin tim… unë do të ngrihesha deri në atë nivel me punën time, me veprimet e mija ku ai gjithsesi do ta njeh Kosovën por për shkak të nevojave të tij dhe asnjëherë nuk do të kisha pozicionimin tim krejt atje… Tani duhet të ecë përpara, Kosova duhet të ecë përpara në proceset e veta”, ka thënë Pacolli.

“Ne do të ngrihemi me standardin tonë, me punën tonë dhe një ditë ajo do të ketë nevojë ta njohë Kosovë. Nëse konsideroj se dikush nuk është miqësor me mu, unë nuk mundem me shku e me lutë atë”, shtoi tutje zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë “Haradinaj”.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img