Në nderim të 22-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës parakaluan në kazermën “Adem Jashari”.
Të pranishëm në ceremoni ishin familja Jashari, presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentarja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe të tjerë.
Në këtë ceremoni, nderim pranë obeliskut të dëshmorëve bënë krerët e shtetit, Thaçi, Osmani dhe Kurti, raporton Telegrafi.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi me këtë rast tha se heroizmi i familje Jashari mobilizoi botën dhe shqiptarët kudo që ishin.
“Heroizmi dhe sakrifica e Jasharajve zgjoi ndërgjegjen shqiptare, mobilizoi botën shqiptare kudo”, tha ai.
Thaçi më tej shtoi se heroizmi i Jasharajve dhe lufta e tyre titanike e vuri në lëvizje edhe diplomacinë botërore për Kosovën.
“Sa herë që vijnë ditët e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kujtojmë çmimin e lirisë së Kosovës dhe marrim energji për të ardhmen. Kujtojmë sakrificën e mijëra dëshmorëve dhe martirëve dhe të gjithë qytetarëve të rënë për liri…”, tha presidenti.
“Të nderuar ushtarë të Kosovës jeni trashëgimtarët të projektit më të suksesshëm politik e ushtarak të kombit shqiptar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës…”, tha Thaçi.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se ndihet mirë që në emër të Kuvendit t’i drejtohet Forcës së Sigurisë së Kosovës, që janë sinonim i shtetësisë së Kosovës, mbrojtjes së sovranitetit dhe paprekshmërisë së territorit.
“Familja Jashari dha shembullin më të rrallë, që bëri sakrificën sublime të flijimit për të atdhe, që ne sot ta gëzojmë lirinë dhe pavarësinë”, tha Osmani.
Ajo tha se i kujtojnë me dhembje, por edhe me krenari familjen Jashari dhe të gjithë dëshmorët e vendit.
“…Nuk mund të gjejmë pikë më të fortë referuese e frymëzuese për sakrificë ndaj atdheut se personaliteti i Adem Jasharit dhe familjes së tij”, tha ajo.
“Të dashur pjesëtarë të forcave tona ju gëzoni respektin dhe besimin qytetar për rolin dhe angazhimin tuaj, për përgatitjen dhe aftësimin e lartë profesional që posedoni, por mbi të gjitha ky vlerësim i tillë në sytë e qytetarëve të Kosovës është se ata tek ju shohin garancën dhe amanetin e Adem Jasharit dhe të bijve dhe bijave më të mirë të vendit të cilët na e lanë trashëgim vendin dhe nga obligojnë të mos lejojmë që asnjë pëllëmbë e territorit tonë të preket…”, tha ajo.
Ndërsa, kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se është kënaqësi të jetë në prani të FSK-së.
Ai tha se Ushtria e Kosovës mund të ketë akronime të ndryshme, por çdo herë do të ketë komandantin e saj legjendar, Adem Jasharin që trimëron dhe frymëzon ushtarët e ri.
“Epopeja e UÇK-së e ndryshoi politikën dhe historinë. Jasharajt e kishin vënë popullin mbi familjen…”, tha ai.
“Është interes i yni strategjik e jetik aleanca e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo aleancë tejkalon interesat e ngushta dhe të përkohshme sepse ndajmë aspirata të përbashkëta për një shoqëri të lirë dhe të hapur, të bazuar në të drejtat e njeriut, në ekonomi të tregut dhe barazi në mundësi. Këtë aleancë nuk mund të cenojë dhe të prish askush. Por Shtetet e Bashkuara e duan një Kosovë të fortë dhe të pavarur, që avancon demokracinë dhe i kontribuon paqes në rajon, që mbron dhe avancon interesat e saj”, tha Kurti. /Telegrafi/