Site icon PrishtinaPress

Para shpalljes së aktgjykimit ndaj Haradinajt dhe Gucatit, Klinaku: Presim që Gjykata Speciale të mos bie pre e Prokurorisë

Dhomat e Specializuara në Hagë të mërkurën (nesër) do të shpallin aktgjykimin ndaj Hysni Gucatit, ish-kryetar i OVL të UÇK-së dhe Nasim Haradinaj, ish-nënkryetar i OVL të UÇK-së, të cilët akuzohen për publikimin e dokumenteve të prokurorisë së Speciales, e që kësaj të fundit i rrodhën në publik.

Lidhur me këtë çështje kryetari i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se kjo organizatë qysh nga fillimi e ka kundërshtar krijimin e kësaj gjykate, pasi ajo është krijuar mbi sajesa të Serbisë.

“Ne si organizatë e veteranëve të luftës e kemi kundërshtuar vetë themelimin e kësaj gjykate sepse e kemi ditur se do të jetë një gjykatë e njëanshme, e cila do t’i ndjekë vetëm shqiptarët. Po ashtu e kemi pasur për bazë se këtu ka pasur procese gjyqësore qoftë nga UNMIK-u e qoftë EULEX-i, e të cilat janë bazuar kryesisht në dokumentacione të Serbisë pushtuese, në dokumentacione të kriminelëve serbë, në dokumentacione të dëshmitarëve të përpunuar që i ka përgatitur Serbia pushtuese”, ka thënë Klinaku, për RTK.

Sipas tij, mbi bazën e atyre dokumentacioneve është duke u bërë edhe aktakuza ndaj krerëve të organizatës së veteranëve të luftës dhe ndaj krerëve të UÇK-së, teksa ka shprehur shpresën që nesër Gjykata të mos bie pre e prokurorisë.

“Ne presim që Gjykata të mos bie pre e një Prokurorie të skandaleve, sepse skandalet atyre ju kanë rrjedhë nga zyrat e tyre. Është një prokurori që thënë të drejtën merret me statuset se çka kanë thënë njerëzit në Facebook e nuk merret me dëshmi e fakte. Edhe ato dëshmi që i zotëron i ka prej Serbisë dhe dëshmitarëve të përpunuar apo edhe prej dëshmitarëve që i ka shantazhuar dhe që i ka marrë dëshmitë e tyre gjatë apo pas luftës, por edhe në qytete të ndryshme të Serbisë në Beograd Nish, etj”, është shprehur Klinaku.

Gucati e Haradinaj, akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike dhe vepra penale kundër rendit publik.

Ndërkohë, njohësit e çështjeve të drejtësisë kanë thënë se pavarësisht përmbajtjes së aktgjykimit të nesërm, ai nuk do të jetë i formës së prerë, pasi i njëjti mund të apelohet në shkallë të dytë.

Exit mobile version