Site icon PrishtinaPress

Para rifillimit të dialogut në Bruksel, Kurti dhe Vuçiq me qëndrime diametralisht të kundërta

Përpara vazhdimit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, i cili do të duhej të mbahej në nivel të lartë politik në qershor, zyrtarët e të dyja palëve po dalin me deklarata kontradiktore në lidhje me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, potencon se nuk mund të formohet një asociacion një etnik, kurse Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i është kundërpërgjigjur duke e porositur [Kurtin] se nuk ka pse të vijë në Bruksel nëse nuk dëshiron të diskutojë formimin e Asociacionit.

Si pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në 2013, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje mbi krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Pastaj detajet specifike u harmonizuan me parimet në vitin 2015.

Mirëpo, Gjykata Kushtetuese e Kosovës në dhjetor të vitit 2015 konstatoi se parimet për Asociacionin nuk ishin harmonizuar plotësisht me Kushtetutën e Kosovës, por, siç thuhet, kjo do të mund të harmonizohej me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës dhe Statutin e Asociacionit.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë (edicioni në gjuhën serbe, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu përsëriti qëndrimin e Kryeministrit Kurti se “nuk mund të ketë asnjë asociacion monoetnik në Kosovë” dhe shtoi se në takimin e ardhshëm në Bruksel, që do të zhvillohet gjatë qershorit, do të bisedohet “për dialogun e ardhshëm”, transmeton Telegrafi.

Kryeziu thotë se nevojitet të rishikohet dialogu i deritashëm me Serbinë dhe të nis një diskutim mbi zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe “ndikimin e vërtetë që ata kanë pasur në jetën e përditshme të qytetarëve tanë”.

Ai nuk specifikoi nëse delegacioni i Kosovës do të pranojë të ngritët përsëri çështja e formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Më 2 qershor, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se takimi i ri me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk do të jetë vazhdim i dialogut, por “fillimi i një procesi të ri”.

Të njëjtën ditë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në takimin me Kurtin, ai do të insistojë në zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicën serbe.

Pikërisht për shkak të Asociacionit, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve u ndërpre vitin e kaluar, kur pala serbe ngriti përsëri këtë çështje.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese si barrierë

Eugen (Cakolli) Cakoli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) thekson se do të jetë shumë e vështirë për çdo udhëheqës të Kosovës të formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur që marrëveshja nuk është plotësisht në përputhje me ligjet e Kosovës.

Ai vlerëson se çështja e Asociacionit do të ngrihet përsëri brenda dialogut në Bruksel, por potencon se Kosova duhet të jetë e kujdesshme lidhur me formulimin e saj, përkatësisht për kompetencat. Sidoqoftë, ai thotë se deklaratat e fundit konfliktuale nga zyrtarët e Kosovës dhe Serbisë nuk i kontribuojnë një atmosfere pozitive përpara rifillimit të dialogut.

“Në kuadër të dialogut do të diskutohet për të gjitha temat, është joreale të thuash ‘shkojmë në Bruksel për të diskutuar për çështje të përgjithshme”. Ne po flasim për vazhdimin e dialogut dhe jo për fillimin e një faze të re të dialogut. Nuk pres ndonjë marrëveshje, por do të diskutohet për gjithçka përveç nëse Kurti nuk refuzon të shkojë në Bruksel për të diskutuar për Asociacionin (komunat me shumicë serbe)”, tha Cakolli, transmeton Telegrafi.

A do t’ia dalë Kurti të rivendosë dialogun?

Dragisha Mijaçiq, koordinator i grupit punues të Beogradit për Kapitullin 35 të Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian, i cili përmban një mekanizëm për monitorimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura brenda dialogut Kosovë-Serbi, tha se shtrohet çështja e kredibilitetit të BE-së si ndërmjetës në dialog, në qoftë se nuk formohet Asociacioni i Komunave me shumicën serbe.

Mijaçiq vlerëson se kryeministri i Kosovës Albin Kurti po përpiqet me këmbëngulje të ndryshojë rrjedhën e dialogut, respektivisht që ai të mos vazhdojë, por të hyjë në një fazë të re. Ai thotë se Kurti është “një negociator i ri në dialogun me Serbinë, kështu që për këtë shkak, i duhet pak kohë për të kuptuar procesin e dialogut dhe për t’u njohur me gjithçka që është arritur dhe çfarë nuk është arritur.

“Unë jam disi i befasuar që Kurti po përpiqet me ngulm të rivendosë të gjithë procesin, për ta kthyer atë në fillim, për të imponuar tema të reja, drejtime të reja në dialog. Sidoqoftë, dialogu është i tillë, po zgjat më shumë se dhjetë vjet, ka njëfarë dinamike dhe zgjat dhjetë vjet, kështu që rivendosja nuk do të jetë aq e thjeshtë”, përfundon Mijaçiq.

Çfarë është kontestuese?

Bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2015, kontestuese është Marrëveshja për Parimet e Asociacionit, e cila nuk është në përputhje me Kushtetutën, veçanërisht në fushat që lidhen me barazinë para ligjit, të drejtat dhe liritë themelore, dhe të drejtat e komuniteteve pakicë dhe pjesëtarëve të tyre.

Në fakt, kontestuese është që Asociacioni nuk bazohet në multietnicitet, por mbledh komuna në të cilat një komunitet etnik është shumica.

Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, parashikon formimin e një Asociacioni të Komunave me shumicë serbe bazuar në statutin, struktura e të cilit do të krijohet si, për shembull, në rastin e statutit ekzistues të Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Sipas asaj strukture, Asociacioni do të ketë president, nënkryetar, asamblenë … Dhe e drejta për të themeluar një asociacion, siç është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, me qëllim të mbrojtjes dhe promovimit të interesave të përbashkëta, është paraparë me Ligjin e Kosovës për Vetëqeverisjen Lokale.

Dy vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes së parë të Brukselit, Kosova dhe Serbia nënshkruan gjithashtu një marrëveshje mbi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, e cila harmonizonte parimet e përgjithshme dhe elementët kryesorë.

Procesi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë filloi në vitin 2011 në nivelin teknik, kurse në vitin 2012 filluan bisedimet në nivelin politik për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Në dhjetë vitet e kaluara Kosova dhe Serbia kanë arritur rreth 30 marrëveshje, shumë prej të cilave nuk janë zbatuar në terren.

Exit mobile version