Site icon PrishtinaPress

Para mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, Kurti takon përfaqësuesin special të OKB-së – flasin për pluralizmin dhe demokracinë në komunat me shumicë serbe

Në prag të mbledhjes së radhës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet këtë të premte, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Zahir Tanin.

“Tanin prezantoi në pika të shkurta përmbajtjen e raportit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë që do të prezantohet në Këshillin e Sigurimit. Raporti fokusohet në reformat e qeverisë, sundimin e ligjit, çështje të sigurisë si dhe gjendjen dhe menaxhimin e pandemisë”, thuhet në njoftimin për media.

Kryeministri Kurti e falënderoi Tanin për njoftimin rreth raportit dhe ngriti disa shqetësime lidhur me pluralizmin dhe demokracinë në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

“Duke qenë në prag të zgjedhjeve lokale, është e rëndësishme që të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike, ku secili qytetar i Republikës voton mbi bazën e bindjeve personale dhe nuk i nënshtrohet presionit dhe frikësimit dhe se kur raste të tilla janë prezentë ato duhet të monitorohen dhe raportohen, tha ai. Duke vënë në pah stabilitetin institucional në vend dhe faktin se qytetarët e të gjitha komuniteteve në Kosovë janë të interesuar për punë dhe drejtësi, mirëqenie dhe barazi, kryeministri theksoi domosdoshmërinë për të dënuar përpjekjet e strukturave kriminale dhe sulmet që u bënë në qendrat e regjistrimit në Zubin Potok dhe Zveçan”, tha Kurti.

Exit mobile version