Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), përmes platformës online “zoom”, në konferencë për medie, ka thënë se Paneli i Gjykatës së Apelit ka refuzuar ankesat e 20 personave për të marrë pjesë si viktima në çështjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
‘‘Të mërkurën, më 26 prill 2023 Paneli i Gjykatës së Apelit rrëzoi apelet e 20 personave për të marr pjesë në proces gjyqësor si viktima të cilët kishin apeluar vendimin e trupit gjykues ku u refuzua kërkesa e tyre për pjesëmarrje në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerëve’’, tha ajo.
Sipas saj, Paneli ka vendosur se personat mund të dorëzojnë sërish kërkesë në qoftë se i paraqesin informacione të reja trupit gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ajo tha se apelet janë dorëzuar nga dy mbrojtës që përfaqësojnë 20 personat të cilëve iu refuzuan kërkesat.
Tutje, ajo tha se në të njëjtën çështje gjyqësore më 28 prill trupi gjykues ka rrëzuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS-së) për miratimin e një procedure për rastet kur mund të dal aspekti i vetë inkriminimit nga vet dëshmitari në bazë të rregullës 151.
‘‘Trupi gjykues është i mendimit se rregulla 43 dhe 151 të marra së bashku me paragrafin 97 v të urdhrit për zhvillimin e gjykimit e rregullojnë siç duhet aspektin e vet inkriminimit të mundshëm nga dëshmitarët në këtë fazë të procesit gjyqësor’’, tha Griep.
Ajo tha se në bazë të rregullit 151 një dëshmitar mund të kundërshtojë të japë dëshmi që mund ta inkriminojë, megjithatë trupi gjykues mund të detyrojë një dëshmitar të dëshmojë, për shembull nëse dëshmitari do të japë dëshmi unike për çështjen gjyqësore.
‘Në një rast të tillë trupi gjykues duhet t’i jap garanci dëshmitarit se gjykata nuk do të veprojë lidhur me vet inkriminimin para dhënies së dëshmisë’’, shtoi Griep.
Ajo po ashtu, njoftoi se më 1 maj 2023 dhe në vijim të vendimit nga trupi gjykues, administratorja përfundoi emërimin e David Young si mbrojtës të Rexhep Selimit dhe caktoi Geoffrey Roberts si mbrojtës zëvendësues.
Tutje tha se, seancat në këtë çështje do të rinisin më 10 maj 2023, duke filluar nga ora 09:00.
Kurse, lidhur me gjykimin e Pjetër Shalës, Griep tha se dëshmitari i pestë dhe i gjashtë të thirrur nga Prokuroria kanë përfunduar dhënien e dëshmive të tyre dhe se të dy dëshmitarët kanë dhënë dëshmitë me masa mbrojtëse përmes video-lidhjes.
Ajo gjithashtu njoftoi për krijimin e Panelit të Gjykatës Supreme për të vendosur mbi kërkesat e mbrojtjes së ligjshmërisë së Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj.
‘‘Sipas ligjit, z. Gucati dhe z. Haradinaj mund të parashtrojnë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në afat prej 3 muajsh që nga aktgjykimi përfundimtar në përgjithësi. Mund të përcaktohet paneli i Gjykatës Supreme nëse parashtrohet kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë nga njëra nga palët nëse paneli i Apelit në aktgjykimin e vet ka rrëzuar lirimin dhe në vend të kësaj ka marr dënim dënues ose kur shqiptohet një vendim me burg të përjetshëm nga paneli gjyqësor ose paneli i Apelit’’, tha ajo lidhur me këtë çështje.
Në fund të konferencës, ajo tha se DhSK ka organizuar një seminar për gazetarët e Kosovës e cila u mbajt nga dy gazetarë të pavarur me shumë përvojë në raportimin e gjykimeve./Betimi për Drejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë./PrishtinaPress/