4.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Pançev: Kosova veproi mirë për zgjedhjet në veri, Serbia s’do ta zbatojë marrëveshjen

Njohësi bullgar i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Anton Pançev, thotë se Kosova ka vepruar mirë që ka insistuar për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore me 23 prill, pavarësisht mospjesëmarrjes së Listës Serbe.

Ai në një intervistë për KosovaPress, deklaron se nuk pret të ketë trazira të dielën në veri, megjithëse ekstremistë serbë mund të kenë skenarë për destabilizimin e asaj pjese.

“Republika e Kosovës duhet të ndjek në mënyrë strikte ligjet e veta dhe gjithçka duhet të zgjidhet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, jo sipas dëshirave politike, gjeopolitike dhe presioneve të jashtme. Vetëm kështu Kosova do të zhvillohet si një shtet sovran dhe krejtësisht të pavarur. Kosova nuk është dashur të bëjë lëshime në këtë drejtim”, thotë ai.

Pançev, i cili është edhe albanolog, thotë se Serbia e di mirë se nuk mund të lejojë trazira në veri pas arritjes së marrëveshjes së Ohrit.

“Për fat të keq unë mendoj se prapë do të shohim skenarët e ekstremistëve serbë në Kosovë, por besoj se tani nuk do të kenë kaq shumë fuqi që të shkaktojnë trazira.

Nga Beogradi e dinë mirë se nuk mund të lejojnë trazira masive për shkak të marrëveshjes së nënshkruar dhe presionit ndërkombëtar mbi Beogradin që të ndryshojë qasjen ekstremiste ndaj Kosovës dhe agresionin rus në Ukrainë. Besoj se nuk do të ketë trazira të mëdha, por prapë se prapë ekstremistët serbë do të tregojnë edhe një herë se nuk do të pranojnë qetësimin e situatës.

Do të ketë ndoshta incidente të vogla, por besoj se Policia e Kosovës do të reagojë”, shton Pançev.

Në anën tjetër, njohësi bullgar i zhvillimeve në Prishtinë është skeptik që Serbia do të zbatojë marrëveshjen e arritur me Kosovën.

“Jam skeptik se për më shumë se një dekadë e ndjek politikën e Beogradit. Ata ishin në presion të fortë nga partnerët perëndimorë dhe tani mendoj se do të presin rezultate pozitive nga pikëpamja e Beogradit në Ukrainë, nëse agresioni rus atje do të ketë ndonjë sukses tjetër, atëherë në Beograd do të harrojnë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe do të kthehen në pozitat e tyre të vjetra.

Beogradi tani deklaron se ka pranuar marrëveshjen, por unë nuk besoj në sinqeritetin e Vuçiqit. Ata do të përdorin të gjitha veglat e mundshme për shtyrjen e zbatimit të marrëveshjes dhe do të akuzojnë Kosovën se nuk po zbatojnë marrëveshjet, kryesisht për Asociacionin”, thotë ai.

Ndërkaq, Pançev deklaron se Serbia vazhdimisht do të insistojë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë të ketë kompetenca ekzekutive, mirëpo, shton se Kosova nuk duhet ta lejojë një gjë të tillë.

“Është e qartë se përfaqësuesit e Beogradit do të insistojnë vetëm për themelimin e Asociacionit, sipas marrëveshjeve të vjetra… Kjo qasje e Serbisë është se gati një dekadë prej kur është nënshkruar marrëveshja për këtë çështje, do të vazhdohet kjo politikë dhe të akuzojë Kosovën se refuzon zbatimin e marrëveshjes dhe nuk lejon arritjen e përparimit për të drejtat e komunitetit serb në Kosovë.

Mirë që do të hartohet draft-statutit i Asociacionit, por përfaqësuesit serbë do të insistojnë që në këtë statut të futen elemente, nene, dispozita që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk mund të lejohen natyrisht nga autoritetet e Kosovës”, përfundon ai.

Më 23 prill në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, pas dorëheqjeve të kryetarëve të këtyre komunave në nëntor të vitit 2022. Zgjedhjet në veri fillimisht ishin caktuar me datë 18 dhjetor të vitit 2022, mirëpo ato u shtyn pas incidenteve dhe pamundësisë për organizimin e tyre.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img