Ngjarja më e madhe e librit në Shqipëri ka nisur me ankesa për rënien e lexueshmërisë dhe numrit të botimeve, shkruan sot “Koha Ditore”.
Përderisa vitin e kaluar në Panairin e Librit në Tiranë kishin marrë pjesë mbi 100 shtëpi botuese, sivjet vetëm 90 sosh kanë ekspozuar titujt në kryeqytetin shqiptar. Në hapjen e Panairit që do të zgjasë për pesë ditë, të mërkurën organizatorët kanë bërë të ditur se nuk janë shumë të kënaqur me edicionin e sivjetmë, që është i 19-ti me radhë.
Kjo ngjarje këtë vit nuk realizohet rreth ndonjë teme, përderisa vitin e kaluar gjatë panairit ishte diskutuar për librin në kohën digjitale. Në këtë edicion janë paraparë gjithsej 60 aktivitete, duke përfshirë promovime librash, seminare e konferenca për letërsinë. Sipas organizatorëve, kriza ekonomike ka ndikuar shumë edhe në fushën e librit.
“Kjo ndihet tek librat. Kemi më pak tituj të botuar, por ajo që është më e dukshme është ulja e tirazhit më shumë sesa ulja e titujve”, ka thënë kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri.
Sipas tij, në këtë panair dominojnë titujt e botimeve të shkrimtarëve joshqiptarë.
“Raporti është në favor të letërsisë së huaj, por e them dhe kam bindjen se çdo letërsi që vjen në gjuhën shqipe bëhet pjesë e kulturës shqiptare. Nuk mund të konkurrojmë me letërsinë botërore. As ne e as vendet më të zhvilluara se ne”, ka thënë Ymeri, sipas së cilit letërsia shqipe është provinciale.
Ymeri ka thënë se këtë vit në panair me tituj paraqiten më shumë autorë shqiptarë në raport me vitet e tjera për shkak të përfshirjes së Shqipërisë në projekte evropiane.
“Kjo na bën që jo vetëm të nxjerrim tituj të rinj, por edhe të bëjmë pagesa më të mira për përkthyesit. Dhe natyrisht që botuesit shqiptarë kanë më shumë kujdes për librin”, ka thënë Ymeri. Ai ka përmendur mungesën e mjeteve duke thënë se këtë vit ka shumë përvjetorë të shkrimtarëve të mëdhenj, por nuk mund të ndahen çmime sherri i mungesës së mjeteve financiare.
Në këtë rast ka përmendur çmimet “Çajupi”, “Naim Frashëri” e “Mjeda”. Teksa ka folur për lexueshmërinë, ai ka thënë se vërehet rënie.
“Dashuria për leximin ka rënë. Dikur shkollat kishin rol të rëndësishëm. Për fat të keq sot nuk janë më. Dikur mësuesit e letërsisë ishin autoritete nga Saranda në Kukës, ndërsa sot janë të dobët”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Shoqata e Botuesve të Kosovës ka vazhduar traditën e pjesëmarrjes në këtë Panair. Këtë vit Botimet KOHA merr pjesë në këtë ngjarje të librit me 35 tituj të rinj.
Menaxheri i shitjes në Grupin KOHA, Fidan Ymeri, ka thënë se lexuesve shqiptarë u janë ofruar titujt më të kërkuar.
“Grupi KOHA prezantohet me titujt e rinj dhe ata më të kërkuarit. Ka interesim të madh sa u përket botimeve tona”, ka thënë Ymeri.
Sipas tij, vëmendje të veçantë zgjojnë titujt e publicistit e shkrimtarit Veton Surroi.
“Libri i fundit i Veton Surroit ‘Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit’ ka vazhduar të zgjojë interesim të madh edhe në Tiranë. Mund të themi se nga viti në vit në Panairin e Shqipërisë titujt tanë janë më të kërkuar”, ka thënë Ymeri. “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit” këtë vit ishte libri më i shitur në Panairin e Librit në Prishtinë, përderisa Surroi është vlerësuar si autor i vitit.
E nënkryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Besian Zeneli, ka thënë se tashmë Kosova ka krijuar një traditë goxha të gjatë sa i përket pjesëmarrjes në Panairin e Librit në Tiranë.
“Tashmë pjesëmarrja e Kosovës në Panairin e Librit në Tiranë është bërë traditë. Është viti i pestë që marrim pjesë të organizuar. Disa botues vijnë dhe prezantohen individualisht dhe të tjerë të organizuar si shoqatë”, ka thënë Zeneli.
Sipas tij, sivjet nga Kosova prezantohen në Tiranë botimet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, të Institutit Albanologjik të Prishtinës, të Institutit të Historisë e të shtëpive botuese “Faik Konica”, “Buzuku”, “Botimet KOHA”, “Libri shkollor”, “Titanik”, “Mendimi pozitiv”, “Shpresa”, “Dija” e të tjera.
“Interesimi nga viti në vit ka qenë më i mirë. Ne jemi të kënaqur me mbarëvajtjen e panairit”, ka thënë Zeneli, i cili ka shpjeguar se Shoqatës së Botuesve të Kosovës i është ndarë një nga hapësirat më të mira në ambientet ku po mbahet Panairi.