Në orët e pasdites të së premtes së kaluar, policë të shumtë ishin përgatitur për të kryer një ndërhyrje në një mulli në fshatin Shirokë të Suharekës.
Njësiti për hetimin e narkotikëve në Prizren kishte marrë informacione se në një objekt disakatësh që funksiononte si mulli po zhvillohej veprimtari ilegale kryesisht i rritjes së bimëve narkotike dhe përgatitjes së drogës për treg.
Prokuroria e Prizrenit kishte udhëzuar hetuesit policorë që të ndërmerrnin të gjitha veprimet e nevojshme për të hetuar rastin dhe informacionin e marrë.
Në hetimin e rastit u vunë në dispozicion edhe masa të fshehta për të siguruar prova në lidhje me personat e dyshuar që po kultivonin narkotikë.
Posa kishin marrë urdhrin për ndërhyrje Policia kishte zënë në flagrancë gjashtë persona, disa nga ta shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Pamje të mbjelljes së kanabisit janë transmetuan në emisionin “Kallxo Përnime”.
Në vazo me ndriçim artificial bimët e kanabisit ishin rritur deri në 2 metra.
Ndriçimi që u përdor për të rritur kanabisin brenda objektit ishte artificial. Poçët po kryenin punën e diellit në rritjen e këtyre bimëve të cilat ishin hiç më pak se 2 mijë e 59 fije të gjatësive të ndryshme.
Brenda objektit ishin vendosur të gjitha pajisjet të cilat nevojiten për të kultivuar narkotik dhe për ta bërë atë të gatshëm për tregun.
Të arrestuarit ishin zënë në flagrancë duke punuar me bimët narkotike. Me doreza të plastikës, me rroba pune, të dyshuarit ishin arrestuar dhe ishin dërguar në stacionin policor në Prizren.
Katër nga të dyshuarit ishin nga Maqedonia e Veriut, njëri nga të arrestuarit ishte pronar i objektit ku u zbulua laboratori i drogës.
Prokurorja e rastit Ariana Shajkovci kishte arritur në vendin e ngjarjes ndërsa kishte urdhëruar Policinë që të dyshuarit t’i dërgonin në ndalim për 48 orë.
Në vendin e ngjarjes u konfiskuan një mori provash. Duke nisur nga narkotikët, prokurorja kishte udhëzuar Policinë që të konfiskoheshin edhe telefonat e të dyshuarve dhe dokumente të tjera që lidhin të dyshuarit me rastin.
“Bëhej fjalë për një objekt shtatëkatësh, ku në katin e fundit bëhej kultivimi i narkotikut kanabis sativa. Në vendin e ngjarjes janë 2 mijë 59 vazo të mbjella me kanabis sativa me gjatësi nga 80 centimetra deri në 2 metra. Në një pjesë të lokacionit është konfirmuar që ishin 32 kilogram marihuanë që ishte në procesin e tharjes”, shpjegoi prokurorja gjetjet në vendin e ngjarjes.
Ajo tregoi edhe se në ndërtimin e këtij laboratori janë përdorur edhe pajisje për të rritur në mënyrë artificiale bimën kanabis sativa.
“Duke u nisur nga sasia shumë madhe e bimës që është gjetur dhe marihuanës që ishte në procesin e tharjes, medoemos mund të themi se bëhet fjalë për shitjen dhe shpërndarjen e tij. Deri tani nuk mund ta di tregun por në ditët apo muajt në vijim do të vazhdojmë hetimet edhe se ku ka qenë e destinuar kjo sasi e narkotikut”, tha prokurorja Shajkovci.
“Duhet të ndërmarrim veprimet se kush është pronari i vërtetë i lokacionit”, shtoi ajo.
Ajo foli edhe për shtetasit e Maqedonisë së Veriut të arrestuar në rast.
“Të gjithë të arrestuarit janë hasur në flagrancë duke përpunuar bimët kanabis sativa. Tani për tani na mbetet të hetojmë dhe vërtetojmë saktësisht rolin e të gjithëve që janë arrestuar sot”, tregon tutje prokurorja e rastit.
Sipas prokurores, për grupin e arrestuar për narkotik do të kërkohej edhe masa e paraburgimit për 30 ditë, kërkesë kjo e cila do t’i drejtohej Gjykatës në Prizren.
Prokurorja potencoi se janë plotësuar të gjitha kriteret që ndaj të njëjtëve të caktohej masa e paraburgimit për shkak të hetimit të mëtejme.
“Prokuroria vetëm para disa jave ka fillu hetimet, ne jemi ende duke hetuar rastin për të parë nëse ka persona të tjerë të involvuar në këtë rast”, shtoi ajo.
Prokurorja Shajkovci apeloi që për raste të dyshimta të tilla qytetarët të bashkëpunojnë me organet e rendit.
“Ne duhet të kemi mundësi që sa më parë të intervenojmë në atë rast, është obligim i çdo qytetari që të raportoj veprimtari të kundërligjshme”, tha prokurorja Ariana Shajkovci.