Avokati Dastid Pallaska, i cili është pjesë e ekipit mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë, thotë se hetimet që janë bërë nga Gjykata Speciale kanë hequr “retë e zeza” mbi Kosovën ndaj pretendimeve të Dick Martyt.
“Këto hetime që janë nisur në bazë të pretendimeve të Raportit të Dick Martyt e kanë hequr formalisht dhe juridikisht këtë “re të zezë” mbi Kosovën dhe Shqipërinë sa i përket pretendimeve makabre për trafikim me organe njerëzore. Në rrafshin juridik këto hetime tashmë janë vërtetuar dhe pretendimet për trafikim organesh janë të pavërteta”, tha avokati në RTV Dukagjini.
Pallaska thotë se megjithatë këto hetime tashmë duhet të formalizohen politikisht edhe nga Asambleja e Këshillit të Evropës.
“Rezoluta do ta konstatonte se pretendimet për trafikim organesh ishin të pavërteta dhe kjo gjë u konfirmua nga hetimet. Madje do të duhej falënderuar Shqipëria dhe Kosova për bashkëpunim të pa rezervë në këtë hetim”.
Avokati thotë se Kosova dhe Shqipëria kryen detyrën që u kishte ngarkuara Asambleja e Këshillit të Evropës kur kishte miratuar Raportin e Dick Martyt.
Ndryshe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama iu drejtua të mërkurën Këshillit të Evropës, ku kërkoi rishikimin e Rezolutës 1782 (të miratuar në vitin 2011) për raportin e Dick Marty, për t’i shpallur të pabazuara akuzat e tij për trafikim të organeve njerëzore gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Raporti i vitit 2010, i hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty, dhe i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pretendon se në trafikim me organe kanë qenë të përfshirë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-99.
Këto pretendime janë hetuar nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014 ka bërë të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për krime të tjera lufte.
Kjo, në vitin 2015, ka çuar në formimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, për të hetuar krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që dyshohet se janë kryer nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Në Dhomat e Specializuara në Hagë, që ndryshe njihen edhe si Gjykatë Speciale, ka nisur tashmë procesi ndaj disa ish-udhëheqësve të UÇK-së, përfshirë: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Ata ndodhen në paraburgim në Hagë qysh nga nëntori i vitit 2020.
Në aktakuzën kundër tyre përmenden krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, por nuk figuron “trafikimi i organeve njerëzore”.
Rama prezantoi para Këshillit të Evropës një rezolutë të Shqipërisë, e cila thotë se pretendimet e ngritura nga Dick Marty për “vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikimit të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe Kosovë”, janë pretendime që “kanë mbetur të paargumentuara, të paaprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte”.