Site icon PrishtinaPress

Pala paditëse kërkon përjashtimin e Gjykatës

Për shkak se dyshon në objektivitetin e gjykatësit dhe të Gjykatës, avokati i palës paditëse kërkoi përjashtimin e gjykatësit dhe të Gjykatës. Në këtë rast, Adelina Berisha ka paditur Komunën e Suharekës pse hapi konkurs për pozitën që ajo e mbante prej më shumë se dy vitesh.

Seanca gjyqësore në rastin ku ish-mësimdhënësja e gjuhës shqipe, Adelina Berisha ka paditur Drejtorinë e Arsimit të Suharekës, është ndërprerë pasi që avokati i paditëses ka kërkuar përjashtimin e gjykatësit dhe të gjithë degës së Gjykatës Themelore të Prizrenit në Suharekë.
Këtë kërkesë avokati Fatbardh Makolli e bërë për shkak të dyshimit në objektivitetin e Gjykatës.
“E kërkoj përjashtimin e gjykatësit të çështjes për shkak të dyshimit në objektivitin e tij, pasi më shumë po kam problem me juve, se me vetë palën e paditur. Dyshoj në objektivitetin e tij dhe në udhëheqjen e procedurës. Nuk po du me ngarku procesin. Me të vërtetë e tepërt është gjyqtar, kërkoj edhe përjashtimin e krejt kësaj Gjykate. Le të shkon në një qytet tjetër dhe lënda të delegohet në një degë tjetër”, tha avokati i paditëses.
Avokati tha se e bëri këtë kërkesë pasi që çdo propozim për prova të reja po refuzohet nga Gjykata si dhe për shkak se provat e administruara po interpretohen nga gjykatësi i çështjes.
Në këto rrethana, Gjykata e ndërpreu seancën dhe komplet dosja e lëndës do t’i dërgohet kryetarit të Gjykatës Themelore në Prizren për të vendosur lidhur me përjashtimin e gjykatës.
Përmes një padie në gjykatë, Adelina Berisha po përpiqet ta detyrojë Komunën e Suharekës që të anulojë konkursin për vendin e punës të cilin ajo e ka mbajtur mbi dy vjet.
Në korrik, Drejtoria e Arsimit e ka shpallur të lirë pozitën e mësimdhënësit të gjuhës shqipe në shkollën e mesme teknike “Skënder Luarasi”.
Në seancën gjyqësore që u zhvillua në tetor në Gjykatën Themelore të Prizrenit, dega në Suharekë, Fatbardh Makolli, avokati i Adelina Berishës, pretendonte se vendi i lirë i punës është hapur në kundërshtim me ligjin.
Sipas avokatit, me arsyetimin se klientja e tij nuk është e kualifikuar kemi të bëjmë me diskriminim, pasi që në këtë shkollë ka edhe mësimdhënës të tjerë me kualifikim edhe më të ulët se ajo dhe nuk është shpallur konkurs për vendet e tyre të punës.

Exit mobile version